Në emisionin “Top Story” u diskutua protesta që prej një muaji po zhvillohet para Kryeministrisë, si edhe debati rreth projektit që ka nxitur reagime të shumta.
Analisti Arjan Curri u shpreh se protesta ushqehet nga shumë grupe me interesa të ndryshme, duke argumentuar se në thelb ajo që po ndodh është një përplasje për interesa ekonomike. Sipas tij, nuk mund të kërkohet zhvillim dhe njëkohësisht të kundërshtohen projektet që sjellin investime.
“Ka njerëz që e duan rendin natyror plotësisht. Është luftë për lekun. Në Amerikë familjet presidenciale bëjnë biznes me kompani të mëdha. Siç e bëri Hunter Biden tani po e bën familja Trump.
Atë protestë e ushqejnë shumë rrëke dhe lumenj të vegjël. Ka një legjendë, që Ivanka mund të jetë kandidate pas Trumpit dhe tani demokratët amerikanë janë angazhuar. E njëjta gjë ndodh dhe këtu, fshatari x thotë pse t’i marrë lekët fshatari ypsilon. Partia x thotë pse ta bëjë partia ypsilon. Oligarku x thotë pse ta bëjë oligarku ypsilon, pra është luftë për para. Është e gjitha si në makro si në mikro një luftë interesi. Pse të shkojë turisti të lahet te flamingot dhe mos të lahet te resorti x.
E vetmja gjë që mund të arrijnë shqiptarët aty në protestë, është që ta shtyjnë atë projekt, se që do të bëhet do të bëhet, maksimumi mund të ndërrojnë duart e atij që do ta bëjnë.
Ne po na vjen leku dhe themi ne s’i duam lekët”, u shpreh Curri.
Sipas analistit, protestat mund të ndikojnë vetëm në shtyrjen e zbatimit të projektit, por jo në ndalimin e tij, ndërsa theksoi se në fund vendimmarrja do të udhëhiqet nga interesat ekonomike. Ai argumentoi gjithashtu se investimet dhe zhvillimi nuk duhet të refuzohen, duke theksuar se, sipas tij, “po na vjen leku dhe ne po themi nuk e duam”./ad
