Last Updated on 02/08/2026 by EL
Hetimet për rastin e Zubin Potokut po vazhdojnë me zhvillime të reja. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë, njoftoi se gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion tjetër i dyshuar në fshatin Jabukë, ku besohet se mund të gjenden mbetje mortore.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për leje zhvarrimi dhe ekzaminimesh të mëtejshme. Pas marrjes së autorizimit nga gjykata, do të ndërmerren veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë dhe institucionet tjera kompetente.
Kjo vjen pasi gërmimet për një varr të dyshuar masiv në fshatin Kalludër të Vogël të Zubin Potokut vazhdojnë prej ditësh, në kuadër të një hetimi rreth dyvjeçar. Ekipet kanë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet t’u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Lidhur me këtë rast, autoritetet kanë arrestuar të dielën një person të tretë, të identifikuar me inicialet J.R., i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Ai bashkohet me dy të dyshuarit e tjerë që tashmë ndodhen në paraburgim për të njëjtën vepër.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila theksoi se Serbia vazhdon të fshehë në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Ajo përmendi gjithashtu rastin e 23 intelektualëve nga Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke thënë se familjet e tyre kanë jetuar 27 vjet me dhimbje, ndërsa kontributi i tyre mbetet i gjallë në kujtesën e qytetarëve.
“23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 27 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbesë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës”, shkroi ajo.
Osmani tha se zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, sipas saj, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se ndajmë një kufi prej afro qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të na zhdukur.
“Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë”, shkroi Osmani./et
