I ftuar këtë të hënë, 6 prill 2026, në emisionin “Aldo Morning Show”, Klaudio Peqini, astrofizikant, ndau detaje mbi misionin e NASA-s për udhëtimin drejt Hënës të raketës Artemis II.
Ky nuk është vetëm një mision teknik, por një hap historik për eksplorimin hapsinor ku do të shohim pamjet e Tokës dhe të Hënës si asnjëherë më parë.
“Raketa është në mesin e rrugës së saj, aty ku duhet të ishte më 6 prill 2026. Çdo gjë ‘në makro’ po shkon sipas planeve, me disa difekte të vogla.
Është ëndërr kjo që po shohim, që po bëhet realitet. Është fantastike, fenomenale. Pse është ndryshe? Flasim për programin Apollo dhe Artemis. Apollo lindi gjatë Luftës së Ftohtë dhe dha përgjigjen se mund të shkojmë në Hënë, 6 herë. Artemis II ka qëllim të tregojë se mund të qëndrojmë në Hënë, jo vetëm të shkojmë në Hënë”, tha astrofizikanti Peqini.
Ai shtoi se në misionet e ardhshme jo vetëm do të zbresim në Hënë, por do të krijohet një bazë e përhershme.
“Këta që po fluturojnë në Hënë do të kthehen; këtë herë nuk do të qëndrojnë. Nuk është një superhero atje, dhe një gabim mund të jetë vdekjeprurës. Nuk mund të komprometohen programe të tilla me gabime të vogla dhe foshnjore”.
Më tej, astrofizikanti ndau disa informacione rreth “eksploruesve” të parë të hapësirës.
“Rusët kanë qenë të parët në garën hapësinore që herët. E vërteta është që sovjetikët kanë fituar çdo element të garës hapësinore, përveç Hënës, të cilën e kanë fituar amerikanët.
Kjo garë bëhet sepse ngritja e një stacioni hapësinor në Hënë është një trampolinë për të shkuar edhe në Mars. Kjo nuk zgjidh hallet që janë në Tokë, por mendoj se ka para për të gjitha gjërat që kërkohet të bëhen. Situata gjeopolitike e momentit mund të errësojë pamjen, por mund të mjegullojë të ardhmen, dhe e ardhmja do të jetë e gjitha teknologjike”.
Sa i përket risive të këtij misioni, ai shtoi se janë sistemet e përdoruara, pra teknologjia.
“Kemi më shumë sisteme se në misionin Apollo, por ka një problem: kur një sistem është shumë i komplikuar, mundësitë për gabime janë më të mëdha”, shtoi më astrofizikanti./kb
