Një dokumentar i nominuar për Oskar, që hyn në dhomat e fëmijëve të vrarë në të shtënat në shkollat amerikane, shpreson ta bëjë të prekshme realitetin e këtyre tragjedive. “Nuk kam qenë kurrë kaq i frikësuar,” thotë regjisori i tij.
Nga Rebeka Nikolson
Stiv Hartman është korrespondent i CBS që nga viti 1996. Në SHBA ai njihet për reportazhet e tij prekëse me histori njerëzore optimiste. Këtë muaj ka raportuar për pensionimin e një postieri shumë të dashur në Nju Xhersi pas 33 vitesh punë dhe për një shofer kamioni që ka kaluar dy dekada duke ndërtuar një maket prej druri balsa të qytetit të Nju Jorkut.
Por që nga viti 1997, Hartman ka raportuar edhe për të shtënat në shkolla, të cilat janë bërë një tipar tmerrësisht i zakonshëm i jetës amerikane. (CNN raporton se pati të paktën 78 raste në vitin 2025, ndonëse nuk ekziston një përkufizim universal për “të shtëna në shkollë”, çka bën që shifrat të ndryshojnë sipas burimit. Raporte të tjera sugjerojnë një numër shumë më të lartë.)
Hartman përpiqej të tregonte këndin njerëzor, historinë e heroit, por përpjekjet për të gjetur dritë në errësirë nisën t’i dukeshin të përsëritura. “Pashë që Amerika po kalonte nga një e shtënë në shkollë te tjetra gjithnjë e më shpejt,” thotë ai, në dokumentarin e shkurtër tronditës All the Empty Rooms. Tetë vite më parë, ai vendosi të provonte një qasje tjetër.
Dhoma e gjumit e Alisa Alhadef. Ajo ishte mes 14 nxënësve dhe tre anëtarëve të stafit të vrarë në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland, Florida, më 14 shkurt 2018. Lojtare e ekipit të futbollit për vajza, çanta e saj e palestrës qëndron e hapur në dysheme. Mbi komodinë ruante biletat e një ndeshjeje futbolli të shkollës, ku kishte shkuar me një shoqe.
All the Empty Rooms, së fundmi i nominuar për një Çmim të Akademisë, ofron një mënyrë tjetër të të parit. Përgjatë 34 minutave të dhimbshme, delikate dhe urgjente, ai ndjek Hartmanin dhe fotografin Lu Bop teksa vizitojnë dhe fotografojnë dhomat e gjumit të katër fëmijëve të vrarë në të shtëna në shkolla. Dominik Blekvell ishte 14 vjeç. Hali Skrags ishte nëntë. Xheki Kazares ishte nëntë. Grejsi Mylberger ishte 15. Detajet e vogla mund të të shkatërrojnë: një mbajtëse lapsash me SpongeBob SquarePants; byzylykë miqësie; shkrim dore fëmijësh në pasqyra, në tabela kujtimesh, në shënime për veten e së ardhmes të futura në kuti të vogla; një shportë me rroba të palara.
Bop ndodhet në apartamentin e tij në Nju Jork dhe është e qartë se ende e ka të vështirë të flasë për përvojën. “Në fillimet e karrierës sime shkova në Afganistan, fotografova gjuetarë të paligjshëm në Amerikën e Jugut, vullkane që shpërthenin,” thotë ai. “Ka pasur shumë momente të frikshme. Por ja ku isha, në një hotel, një natë para se të fotografoja një dhomë në Parkland, Florida, dhe nuk kam qenë kurrë kaq i frikësuar.” Bop e njihte Hartmanin prej dekadash – Hartmani madje kishte jetuar dikur në bodrumin e tij – dhe kur miku i kërkoi t’i bënte këto fotografi, ai pranoi menjëherë. “Mendova se ishte një nga idetë më brilante dhe më prekëse që kisha dëgjuar ndonjëherë,” thotë ai. “Shpresoj që njerëzit të ndiejnë diçka kur ta shohin këtë. Sikur njerëzit të mund të hynin në këto dhoma, mendoj se shumë gjëra do të ndryshonin.”
Dhoma e gjumit e Sharlot Bejkon, e cila ishte gjashtë vjeç kur u vra gjatë të shtënave në shkollën fillore Sandy Hook në Nju Taun, Konektikat, më 14 dhjetor 2012.
Është një mëngjes me diell në Nashville dhe Xhada Skrags telefonon nga shtëpia e familjes. “Pasi Hali u vra, bota jonë thjesht u mbyll dhe u bombarduam nga media, që kërkonte informacione dhe citime prej nesh,” thotë ajo. Po afrohet përvjetori i tretë i vdekjes së vajzës së saj. Nuk kishin as kapacitetin për t’u përgjigjur, thotë ajo, as dëshirën për të thënë diçka publikisht. “Ishim thjesht të shkatërruar.” Disa muaj më vonë, Hartman u shkroi dhe i pyeti nëse do të merrnin pjesë në projektin fotografik. Ata ishin familja e parë që pranoi.
Fotografitë e Bop u shtypën në libra me kopertinë të fortë dhe iu dhanë familjeve. “Menduam se mund të ishte diçka e mirë për ta pasur, më vonë.” Dhe atyre u pëlqen të flasin për Hali, thotë Skrags. “Donim që Hali të njihej, dhe ishte një mënyrë e mirë për të folur për të dhe për ta ndarë me të tjerët.” Çfarë do të donte ajo që njerëzit të dinin për vajzën e saj? “Hali ishte plot jetë dhe gëzim. Ishte e lumtur dhe qeshte shumë. Ishte sportive.”
Dhoma e saj është e mbushur me suvenire sportive, libra, një tavolinë të vogël bilardoje, një mikrofon karaokeje nën krevat. Skrags shpreson që gjallëria e Halit të duket në film – dhe vërtet duket. “Dhe sa shumë vlerësohej si anëtare e familjes. Mungesa e saj është boshllëku që nuk do ta mbushim kurrë. Shpresoj që filmi ta kapë këtë.”
Pjesëmarrja e familjeve është e fuqishme. Të gjithë të përfshirët udhëhiqen nga shpresa për atë që filmi mund të arrijë. Skrags thotë se shpreson për “ndryshim të vërtetë”. Si do të dukej ai? “Shumë gjëra lidhen me politika dhe njerëzit duhet të duan që politikat të ndryshojnë. Shpresoj që filmi t’i nxisë njerëzit ta duan atë ndryshim dhe të veprojnë. Sepse askush nuk e do këtë për të tjerët.”
“Kjo çështje është kaq e ngecur këtu,” thotë regjisori i filmit, Xhoshua Seftel, nga shtëpia e tij në Bruklin, Nju Jork. “Asgjë nuk po ecën përpara siç duhet. Njerëzit janë mpirë. Edhe ata që shqetësohen janë mpirë. Ka më shumë se 100 të shtëna në shkolla në vit. As nuk arrijmë t’i ndjekim të gjitha.” Dy ditë më parë pati një tjetër të shtënë masive, thotë ai, dhe pak veta e dinë që ndodhi. “Dikur kjo nuk ishte normale – tani është normale dhe ne jemi mpirë.”
Seftel mendoi se nëse dikush mund t’i zgjonte njerëzit nga kjo paralizë, do të ishte Hartman. “Në vendin tonë, Stiv Hartman njihet dhe besohet nga shumë njerëz, dhe nuk është politik. Besoja se mund të ishte një zë i fuqishëm.” Dokumentari nuk e përdor kurrë fjalën “armë”. “Ishte shumë e qëllimshme. Edhe ajo fjalë është polarizuese, për fat të keq,” pranon ai. Por a mund të qëndrojë jashtë politikës në një klimë kaq të ashpër? “Në shumë mënyra, kjo nuk është çështje politike,” thotë ai. Ata donin të shmangnin çdo arsye që një shikues ta fikte filmin. “Të dërgosh fëmijët në shkollë dhe të mos shqetësohesh nëse do të qëllohen nuk është çështje politike. Është diçka për të cilën të gjithë biem dakord.”
Ai shpreson që këto dhoma të thyejnë mpirjen. “Duhet ta ndiesh peshën e plotë të çështjes para se të gjejmë një zgjidhje – dhe ne nuk po e ndiejmë më.”
A ka vënë re hezitim për ta parë filmin? “Patjetër. Njerëzit kanë frikë. Nuk duan të ndihen të trishtuar. Por çfarë do t’i thoshit një prindi që humbi fëmijën dhe ju kërkoi ta shihni atë film? Ata duan që ju ta njihni historinë e fëmijës së tyre.” Ai e kupton që mund të jetë i vështirë. “Por nëse vazhdojmë të kthejmë kokën, ndryshimi ka më pak gjasa të vijë.”
Bop thotë se do të donte që çdo amerikan të qëndronte në njërën prej atyre dhomave për 15 minuta. “Dhe të shohë si është dhe sa reale është,” thotë ai. Sipas tij, kështu do të vijë ndryshimi. “Kjo nuk është thjesht një titull lajmi. Kjo po ndodh, dhe të nesërmen gazeta do të shtypë një tjetër titull, ndërsa për familjen kjo vazhdon. Dhe vite më vonë, ja ku jemi, në këto dhoma, pothuajse të paprekura.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
