Lucia Magi
“Kush dëshiron të duket i bukur duhet të vuajë pak”, thotë një shprehje e vjetër. Por deri në çfarë mase? Kjo është pyetja që ngre “The Beauty”, seriali i ri fantastiko-shkencor dhe horror për trupin i krijuar nga Ryan Murphy për FX, i cili do të publikohet në Disney+ më 22 janar, me tre episodet e para.
Seriali, i krahasuar me filmin e fundit të Coralie Fargeat, The Substance, tregon historinë e një substance të aftë për të dhuruar bukuri dhe rini të përjetshme. Në një shoqëri gjithnjë e më të fiksuar pas përsosmërisë fizike, ky eliksir nuk mbetet privilegj i një pakice të pasur: shumë shpejt ai shndërrohet në shkakun e një pandemie vdekjeprurëse.
“Ryan ka një talent unik për të kapur pulsin e shpirtit të kohës, për të regjistruar frekuencat e kulturës bashkëkohore dhe për t’i përkthyer ato në mënyrë subversive e provokuese, duke nxitur debat publik”, thotë Ashton Kutcher gjatë një konference për shtyp në Los Angeles.
Seriali hapet në pistat e modës së Parisit. Një modele (e interpretuar nga Bella Hadid) çmendet papritur: ajo sulmon dhe vret këdo që i del përpara, përpara se të shpërthejë në mes të rrugës. Hetimi i çon agjentët e FBI-së Cooper Madsen (Evan Peters) dhe Jordan Bennett (Rebecca Hall) nga Quantico në Venecia, Romë dhe Nju Jork, në kërkim të së vërtetës pas këtyre vdekjeve të tmerrshme.
Zbulimi është tronditës: pas gjithçkaje fshihet një virus seksualisht i transmetueshëm, i cili i transformon njerëzit në qenie fizikisht të përsosura, vetëm për t’i shkatërruar më pas. Virusi është lëshuar nga Korporata, e drejtuar nga një miliarder i teknologjisë (Kutcher), i cili ka ngarkuar një fitues të Çmimit Nobel të zhvillojë një ilaç mrekullibërës të quajtur “Bukuria”. “Një dozë dhe je fantastik”, premton ai. Problemi i vogël: përdoruesit infektojnë partnerët e tyre seksualë, duke i dënuar me një vdekje të tmerrshme. Në kast përfshihet edhe Isabella Rossellini.
“Kjo histori nuk është aq e pabesueshme sa duket. Nuk është thjesht fantashkencë”, thekson Kutcher. “A ekzistojnë kompani që kërkojnë rininë e përjetshme? A ka multimilionerë që financojnë eliksirë të tillë? Dhe nëse dikush do ta gjente një substancë efektive, a mendoni vërtet se do të priste miratimin e FDA-së?”
I njohur për sitcom-e si That ’70s Show dhe komedi romantike, Kutcher – sot gati 48 vjeç – shfaqet më i menduar dhe selektiv në zgjedhjet e tij artistike. “Kur pranova rolin, pyeta veten: çfarë është bukuria? Seriali nuk përpiqet ta përkufizojë, por ia lë këtë audiencës. Për mua, papërsosmëria është ajo që është e bukur, sepse përfaqëson potencialin. Ne jemi vepra arti në zhvillim e sipër.”
Shumë nga skenat janë xhiruar në Romë dhe Venecia. “Sa herë që shkoj në Evropë, e kuptoj sa të reja janë Shtetet e Bashkuara”, përfundon aktori. “Çdo ndërtesë është një mësim historie dhe njerëzimi. Ato e bëjnë konceptin tonë të bukurisë më relativ dhe më pak absolut. Ishte thelbësore që një serial me një temë të tillë të vendosej në mjedise kaq të lashta.”
Përgatiti për botim: L.Veizi