Temperaturat rekord të detit, të nxitura nga valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën, po krijojnë kushte ideale për përhapjen e Vibrio, një bakter që jeton natyrshëm në ujërat bregdetare dhe që, në raste të rralla, mund të shkaktojë infeksione shumë të rënda.
Sipas ekspertëve, Vibrio zhvillohet më mirë në ujëra të ngrohta me kripësi mesatare, veçanërisht aty ku takohen uji i ëmbël dhe ai i kripur. Ndërsa shumica e llojeve të tij janë të padëmshme, disa mund të shkaktojnë sëmundje te njerëzit.
Infeksioni, i njohur si vibriozë, mund të merret duke konsumuar produkte deti të papërpunuara ose të pagatuara mirë, sidomos gocat e detit, por edhe kur një plagë e hapur bie në kontakt me ujë të kontaminuar.
Simptomat ndryshojnë në varësi të mënyrës së infektimit. Nëse bakteri hyn në organizëm përmes një plage, mund të shkaktojë skuqje, ënjtje, dhimbje dhe infeksione të lëkurës. Në rastet më të rënda, kur infeksioni nuk trajtohet, mund të çojë në infeksion të gjakut, sepsë, fasciit nekrotizues – i njohur si sëmundja “që ha mishin” – madje edhe në amputim të gjymtyrëve.
Një nga llojet më të rrezikshme është Vibrio vulnificus, i cili mund të shkaktojë infeksione të rënda dhe potencialisht fatale, veçanërisht te personat me sistem imunitar të dobësuar, sëmundje kronike të mëlçisë ose plagë të hapura.
Megjithëse infeksionet nga Vibrio mbeten relativisht të rralla në Evropë, autoritetet shëndetësore kanë vënë re një rritje të rasteve gjatë viteve të fundit, sidomos në verat me temperatura të larta. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në vitin 2018 u regjistruan 445 raste, më shumë se trefishi i mesatares vjetore të viteve 2014–2017.
Ekspertët këshillojnë të shmanget konsumimi i produkteve të detit të papërpunuara ose të pagatuara mirë dhe të mos notohet në ujëra të kripura apo të njelmëta nëse keni plagë ose prerje të hapura.
Sipas Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), përqendrimet më të larta të këtij bakteri janë regjistruar në Detin Baltik, zonat tranzitore me Detin e Veriut, Detin e Zi dhe pranë grykëderdhjeve të lumenjve të mëdhenj. Me rritjen e temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike, ekspertët paralajmërojnë se prania e Vibrio-s në ujërat evropiane mund të shtohet edhe më tej.
