Balena Timmy ose Hope është tashmë drejt lirisë në ujërat e Detit të Veriut.
Një rast që tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik, kur një balenë ngeci në ujëra të cekëta në brigjet gjermane të Detit Baltik. Operacioni për shpëtimin e saj ishte mjaft i vështirë për shkak të kompleksitetit në tërheqjen dhe zhvendosjen e ‘gjigantit’ të detit, për të mos e lënduar, por edhe për shkak të përmasave, si dhe problematikave fillestare në kontekst politik dhe impaktit të jashtëzakonshëm social.
Interesi i madh shoqëror për të shpëtuar gjitarin e oqeaneve rezultoi i suksesshëm.
Lidhja e njeriut me balenat është e lashtë. Pavarësisht dimensioneve të jashtëzakonshme, ato nuk janë aspak të rrezikshme për ne, por e kundërta po. Ushqehen me krijesa të vogla që quhen krill, të cilat janë krustace deti shumë, shumë të vegjël, të cilët i konsumojnë me tonelata.
Ndër speciet e tyre, balena blu është krijesa më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë në Tokë. Ajo arrin deri në 33 metra gjatësi dhe ka një peshë rreth 170 ton.
Janë kafshë mjaft interesante dhe ndër gjitarët më jetëgjatë, ku një specie mund të arrijë deri në 200 vite.
Në kulturën njerëzore, balena simbolizon mençurinë, misterin dhe forcën.
Balenat janë thelbësore për ekosistemin detar. Sjellja e tyre e të ushqyerit ndikon në ciklet e oqeanit, dhe ngritja në sipërfaqe ndikon në shpërndarjen e hekurit dhe azotit, që stimulojnë rritjen e fitoplanktonit, që janë baza e zinxhirit ushqimor detar. Gjithashtu fitoplanktoni thith sasi tejet të larta të CO₂, deri në 40% të prodhuar. Këta mikroorganizma janë ndër më të rëndësishmit për ekuilibrin e planetit, pasi gjithashtu prodhojnë 50% të oksigjenit në atmosferë.
Zemra e një ekzemplari mesatar peshon rreth 180 kg, dhe rrahjet e saj mund të dëgjohen deri në një largësi prej 3 km, ndërsa gjuha peshon 2.7 ton.
Kur balena blu hap gojën, mund të mbajë deri në 90 ton ujë dhe ushqim.
Gjithashtu mban rekordin e rrahjeve të zemrës më të ngadalta mes gjitarëve, ku në pushim zemra kryen mesatarisht 5-10 rrahje në minutë, ndërsa kur zhyten në thellësitë e oqeanit arrin në vetëm 2 rrahje në minutë, ritëm tejet i ulët që është mekanizëm për të ruajtur oksigjenin teksa kafsha qëndron në zhytje për kohë të gjatë.
Balenat janë të njohura për gjuhën e komunikimit dhe këngët e tyre, që në fakt janë këngë dashurie, si dhe për daljet jashtë ujit, hedhjet dhe piruetat në sezonin e çiftëzimit. Meshkujt gjatë stinës së dashurisë prodhojnë sekuenca të artikuluara dhe komplekse tingujsh që kanë funksion për të tërhequr femrat, edhe nëse ndodhen në distanca të largëta prej shumë kilometrash.
Repertori i tyre akustik përmban këngë, thirrje sociale të lidhura me ushqimin apo përkujdesjen ndaj të vegjëlve dhe komunikimin e individëve.
Sipas studimeve të shumta, këngët e balenave ndjekin rregulla strukturore të ngjashme me gjuhën njerëzore, me pjesë të organizuara në mënyrë për të lehtësuar të nxënit dhe transmetimin kulturor mes gjeneratave. Balenat, orkat dhe delfinët, jo vetëm komunikojnë mes tyre, por zhvillojnë edhe dialekte që variojnë në bazë të grupit social dhe pozicionit gjeografik. Aktualisht është vendosur të përdoret inteligjenca artificiale për të ndihmuar në deshifrimin e “fjalorit” të gjigantëve të deteve.
Pjekuria seksuale e balenave arrin mesatarisht në moshën 8-vjeçare dhe zakonisht krijohet një interval prej 2-3 vjetësh mes lindjeve. Femrat e species fekondohen në dimër me një shtatzëni që zgjat rreth një vit.
Shtatzënia është plotësisht e sinkronizuar me migrimin vjetor dhe procesi i lindjes, pas gjetjes së mjedisit të përshtatshëm, është mjaft i shpejtë.
Të vegjlit në lindje janë përgjithësisht rreth 4 metra të gjatë dhe peshojnë më shumë se 1 ton, ndërsa nëna vijon të kujdeset për të porsalindurin duke e ushqyer me rreth 550 litra qumësht në ditë për muaj të tërë. Kur përfundon periudha e gjidhënies pas shumë muajsh, nis edhe migrimi i parë drejt ujërave më të ftohta, që zakonisht kanë më shumë ushqim, ndërsa në ujëra të ngrohta udhëtimi ndodh për arsye riprodhimi.
Këto kafshë spektakolare që popullojnë gjithë oqeanet e planetit Tokë janë në rrezik zhdukjeje prej shumë dekadash. Njeriu është kërcënimi i tyre më i madh, duke qenë se gjuetia e balenave është traditë prej shekujsh. Është praktikë e vjetër, kryesisht e nisur në komunitete bregdetare dhe është përdorur për ushqim, për vaj dhe materiale për vegla e përdorime të ndryshme.
Vaji i balenës që përftohet nga yndyra apo dhjami i tyre përdorej për ndriçim me llampa, lubrifikues, si dhe në krijimin e sapunëve, kozmetikës dhe parfumerisë.
Shqetësimet në nivel global për konservimin e species janë edhe ndotja mjedisore, ndotja akustike, ndotja nga plastika, aciditeti i oqeaneve, ngecja e tyre në ujëra të cekëta apo përplasja me anije. Deri në nisje të shekullit XX, balena blu ishte shumë e përhapur nëpër oqeane. Për më shumë se 40 vite u gjuajt në mënyrë ekstreme, derisa pothuajse preku zhdukjen.
Komuniteti ndërkombëtar e deklaroi specie të mbrojtur në vitin 1966 dhe në vitin 1982 u vendos një moratorium mbi gjuetinë e balenave për të mbrojtur këto specie mjaft të rëndësishme.
Sipas një raporti, mendohet se në vitin 2002 në botë ishin gjithsej mes 5,000-12,000 ekzemplarë. Ndërsa para gjuetisë së egër, popullsia më e madhe e balenave ishte ajo antarktike, me rreth 239 mijë individë.
Sot popullsitë e balenave janë shumë të vogla, me grupe prej rreth 2 mijë ekzemplarësh, të përqendruar kryesisht në Paqësor, Atlantik dhe Oqeanin Indian, ndërsa popullsi më të vogla notojnë në hemisferën australe dhe Atlantikun verior./mxh
