Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një fjale para anëtarëve të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, deklaroi se Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit evropian, pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve.
Sa i përket investimit në Vlorë, Balla tha se zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës.
“Janë lajme të rreme që shpërndahen me qëllim për të krijuar konfuzion. Po përballemi me një fushatë dezinformimi, por do ta pastrojmë mjegullën. Zona e investimit në Zvërnec është pronë private me tituj të regjistruar pronësie, ndërsa zona “Pishë Poro–Nartë” vijon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” sipas klasifikimit të IUCN-së”, tha ai.
Balla nënvizoi se delta e Vjosës gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si park kombëtar dhe nuk preket nga zhvillimet e planifikuara.
Lidhur me ishullin e Sazanit, Balla tha se ishulli mbetet pronë shtetërore dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt shitjeje. Sipas Ballës, modeli i propozuar synon përfshirjen e shtetit shqiptar në investim përmes aksioneve, ndërsa negociatat me investitorët janë ende në vijim dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare./a.d
