Last Updated on 23/09/2026 by Anisa
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj për shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla thekson se shumica qeverisëse do t’i qëndrojë qëndrimit të saj për të mos ndërhyrë apo komentuar çështjet që lidhen me drejtësinë.
“Shumica jonë qeverisëse i mbetet besnike qëndrimit standard për të mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë. Kushdo qoftë duhet të përballet personalisht me drejtësinë dhe të marrë avokatin e vet. Partia Socialiste, pra shumica qeverisëse e këtij vendi, nuk bën avokatin e askujt”, deklaroi Balla.
Ai u shpreh gjithashtu se shkarkimi i Hysenit nga detyra, siç kishte njoftuar më herët Kryeministri Edi Rama, u bë për t’i hapur rrugë emërimit të një drejtuesi të ri në krye të SHISH.
Reagimi i Ballës vjen pas dekretit presidencial për largimin e Hysenit nga drejtimi i institucionit, në një moment kur çështja e saj është bërë pjesë e zhvillimeve të drejtësisë./ad
