Last Updated on 17/09/2026 by EL
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, u përfshinë sot në një debat në Kuvend.
Shehu akuzoi mazhorancën socialiste se nuk ka punuar pro interesave të Kosovës dhe shtoi se qeveria shqiptare nuk ka marrë masa konkrete në arenën ndërkombëtare, për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
Më tej Muçi tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të flasë sot kundër vendimit të Gjykatës Speciale, pasi sipas tij, ishte ai që bindi liderët politikë të kohës në Kosovë, për krijimin e kësaj gjykate.
“E mbështesim qasjen që Rusia do të duhet të dëmshpërblejë Ukrainën për dëmin që i ka shkaktuar. Megjithatë shtrohet pyetja, nëse Shqipëria do të ratifikojë konventën për Komisionin që do të mbikëqyrë dëmin që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës, po dëmin që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, cili komision do ta shqyrtojë? Ç’hapa konkret ka ndërmarrë qeveria shqiptare në arenën ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe për kompensimin që i takon shqiptarëve të Kosovës të dalë nga lufta. Sepse ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, kur flasim për dëmin në kontekstin e Kosovës, po flasim për gjenocidin e një shteti dhe të një ushtrie fashiste të ushtruar mbi një popullsi të pambrojtur. Kur do i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet.
Ç’rol ka luajtur shteti shqiptar në këtë drejtim? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nga ndërkombëtarët, kur keni qenë ju deputetët e PS që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb. Me çfarë fytyre Rama sot kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kur në delirin e madhështisë të vetëshpalljes lider ballkanik, të atij që do lobonte në emër të ndërkombëtarëve, i kërceu helikopterit për të shkuar e për të bindur homologët e tij në Kosovë për krijimin e Speciales. Ky Kuvend duhet ta njohë gjenocidin serb përmes rezolutave të përbashkëta me Kuvendin e Kosovës”, tha mes të tjerash Muçi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi deputetin Redi Muçi si një ‘kalama’ që fjalimet që lexon në Parlament ja shkruajnë të tjerët. Ai tha gjithashtu se Muçi e ka ndarë mandatin e deputetit përgjysmë me kryetarin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorin.
“Kur vjen në Kuvend vjen me fjalime që t’i kanë shkruar të tjerët. Ti je rasti unik që do e bësh mandatin përgjysmë, sepse vitin tjetër do të duhet të vijë zëvendësuesi, sipas marrëveshjes që keni bërë. Por thuaji atij zëvendësuesit tënd, Qorrit, që fjalimet të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti sot kur ne votuam një deklaratë që denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë? Por kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe me pa asnjë të drejtë përdorin një moment kaq të vështirë për shqiptarët për llogari politike, ky është rasti tipik për t’i thënë votuesve që të mos sjellin më kalamaj në sallë, se e çoni votën dëm”, tha mes të tjerash Balla./et
