Last Updated on 21/07/2026 by EL
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Turizmin”, të cilin e cilësoi një hap të rëndësishëm për rritjen e standardeve të sektorit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Balla e vuri theksin te transformimi i vendit.
“Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”, tha Balla.
Ai u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik të zhvillimit të turizmit, duke theksuar se numri i turistëve është rritur gjashtë herë krahasuar me 13 vite më parë.
Sipas tij, kjo rritje kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese, shërbimet dhe administrimin e sektorit.
Projektligji parashikon përmirësimin e procesit të kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese, regjistrimin elektronik të klientëve, krijimin e Regjistrit Qendror të Turizmit, forcimin e administrimit të mbetjeve nga hotelet, si dhe masa për pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.
“Nuk mund të fillojë ndërtimi i një objekti si pallat dhe të përfundojë si hotel. Nëse ndërtohet hotel, ai duhet të projektohet dhe të ndërtohet si i tillë që në fillim”, u shpreh Balla, duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë me standardet më të mira evropiane./et
