Last Updated on 04/06/2026 by Monika
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla kërkoi nga Greqia përmbylljen e marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të kontributeve shoqërore, duke theksuar se qindra mijëra shqiptarë që kanë punuar për dekada në vendin fqinj meritojnë të përfitojnë pensionet e tyre.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Shqipëria ka arritur tashmë marrëveshje të tilla me dhjetë vende të Bashkimit Europian, ndërsa negociatat me Greqinë duhet të përfundojnë sa më shpejt.
“Po kemi të paktën një milion shqiptarë që kanë punuar në Greqi për 35 vjet. Mezi pres që Parlamenti grek dhe Parlamenti i Shqipërisë të votojnë marrëveshjen për njohjen e dyfishtë të kontributeve shoqërore. Greqia ua ka borxh qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që kanë punuar atje për vite me radhë”, deklaroi Balla.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke për të ngjarjet në Nartë. Balla theksoi se vendi ynë respekton plotësisht kriteret europiane, por kundërshtoi pretendimet që Narta të konsiderohet territor i minoritetit grek.
“Narta është tokë shqiptare, autoktone”, u shpreh ai, duke shtuar se në zonë kanë bashkëjetuar shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicës greke, por kjo nuk ndryshon karakterin shqiptar të krahinës.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Ballës iu kushtua edhe debatit për investimin në Zvërnec. Ai mbrojti projektin strategjik dhe deklaroi se investitorët nga Katari kanë investuar deri tani 225 milionë dollarë, ndërsa shteti shqiptar ka detyrimin ligjor të garantojë investimin.
Sipas Ballës, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim mbi dokumentacionin e pronave, por kjo nuk cenon të drejtat e investitorëve që kanë investuar në Shqipëri. Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët e projektit se po përpiqen të dëmtojnë imazhin e vendit në kulmin e sezonit turistik përmes shpërndarjes së pamjeve dhe informacioneve që krijojnë perceptimin e një situate të tensionuar në vend.
Gjatë debatit në Kuvend, Balla sulmoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për qëndrimet e tij lidhur me protestat për Zvërnecin. Sipas tij, Berisha ka ndryshuar qëndrim brenda pak ditësh, lidhur me investimin.
“E paimagjinueshme se si mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar. Brenda 72 orëve të mbajë këtë ndryshim qëndrimi”, tha Balla, duke shtuar se nuk kishte pasur asnjë dyshim se Berisha do të ndryshonte pozicion.
Balla dënoi gjithashtu çdo përpjekje për të zhvendosur protestat pranë selive të partive politike, duke argumentuar se veprime të tilla mund të krijojnë përplasje të panevojshme mes militantëve dhe të largojnë vëmendjen nga kauzat qytetare./Mxh
