Atlético Madrid e ka të qartë qëndrimin e tij për të ardhmen e Julian Álvarez dhe, pavarësisht zhvillimeve të merkatos, pozicioni i klubit nuk ka ndryshuar aspak. Në Madrid nuk e dinë se çfarë do të sjellë e ardhmja, por një gjë e konsiderojnë të sigurt: Julián Álvarez nuk do të transferohet te Barcelona. Merkatoja e verës u mbyll me skenarin që Atlético e kishte parashikuar sa i përket sulmuesit argjentinas, çështja e të cilit ndikoi ndjeshëm në këtë periudhë të transferimeve.
Në klub e konsiderojnë tashmë këtë kapitull të mbyllur, sidomos pas rikthimit të Álvarez në stërvitje, pas disa ditësh jashtë grupit për shkak të një “indispozicioni”. Pavarësisht dëshirës së lojtarit për të luajtur në të ardhmen për Barcelonën, ky skenar nuk u realizua.
Fakti që Barcelona zyrtarizoi transferimin e Gabriel Jesus nuk i dha fund zërave për të ardhmen e Álvarez. Përkundrazi, në Atlético besojnë se kjo histori mund të rikthehet sërish gjatë sezonit, veçanërisht nëse të dyja skuadrat përballen në Champions League, Kupën e Mbretit apo në një ndeshje vendimtare për trofe. Në Madrid presin që çdo përballje direkte të shoqërohet me rikthimin e spekulimeve për një kalim të argjentinasit te Barcelona, siç ndodhi edhe sezonin e kaluar. Nëse këto zëra përsëriten, marrëdhëniet mes dy klubeve pritet të bëhen edhe më të tensionuara.
Atlético vendos çmimin: 490 milionë euro
Qëndrimi i klubit madrilen mbetet i pandryshuar: nëse Barcelona dëshiron Julián Álvarez, duhet të paguajë klauzolën e lirimit prej 490 milionë eurosh. Administratori i deleguar i Atlético Madrid, Miguel Ángel Gil Marín, e bëri shumë të qartë këtë pozicion pak ditë më parë, gjatë shortit të Champions League. “Kam më shumë se 30 vjet në botën e futbollit dhe fjala ime është një nga gjërat e pakta që kam. Për sa kohë që unë jam CEO, Julián Álvarez nuk do të transferohet te Barcelona, me siguri të plotë”, deklaroi Gil Marín.
Ky është mesazhi që vijon të përsëritet në zyrat e Atlético Madrid: klubi nuk ka ndërmend të humbasë një prej yjeve të tij dhe, nëse është e nevojshme, është gati të mbajë qëndrim të fortë përballë Barcelonës.
Në Madrid e konsiderojnë këtë edhe si një çështje strategjike. Atlético dëshiron të tregojë se nuk do të heqë dorë lehtësisht nga lojtarët e tij kryesorë dhe se do të luftojë për t’i mbajtur ata, edhe nëse interesimi nga klubet më të mëdha të Evropës vazhdon.
Shembujt që i japin siguri Atléticos
Në klub nuk shqetësohen as nga ideja se Álvarez mund të mbetet gjatë në Madrid pa luajtur nëse situata përshkallëzohet. Drejtuesit kujtojnë raste të mëparshme, si ai i Thomas Lemar, i cili dikur ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit.
Edhe pse kishte një pagë të lartë dhe pritej të ishte protagonist, Lemar kaloi periudha të gjata në stol dhe ndikimi i tij në skuadër ishte i kufizuar. Megjithatë, Atlético arriti ta përballojë situatën pa u destabilizuar.
Të njëjtin argument klubi e lidh edhe me rastet e Saúl Ñíguez dhe Vitolo, lojtarë që kishin kosto të lartë transferimi dhe paga të konsiderueshme, por që në periudha të caktuara nuk patën rolin e pritur në skuadër.
Mesazhi nga drejtuesit e Atlético Madrid është i qartë: klubi është gati të mbajë qëndrim dhe të përballojë çdo presion në lidhje me Julián Álvarez. Për momentin, argjentinasi vazhdon të jetë pjesë e Atlético Madrid, ndërsa në Madrid nuk lënë hapësirë për dyshime: për sa kohë Miguel Ángel Gil Marín është në drejtim të klubit, transferimi i Álvarez te Barcelona nuk është në tryezë./mxh
