Last Updated on 05/06/2026 by Anisa
Në vigjiljen e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Malin e Zi, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një non-paper për rajonin.
Në dokumentin joformal. Berlini dhe Parisi i kërkojnë Komisionit Europian të hartojë propozime që do të lehtësonin integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Europian. Sipas propozimit, vendet që afrohen me anëtarësimin do të mund të përfitonin më herët nga disa avantazhe të tregut të brendshëm europian, dhe një përfshirje më të madhe të shteteve kandidate në proceset institucionale të BE-së.
Megjithatë, në dokument theksohet se kjo përfshirje duhet të zhvillohet vetëm mbi baza të qarta që garantojnë ruajtjen e pavarësisë dhe autonomisë së procesit vendimmarrës të BE-së. “Politika e zgjerimit ka nevojë për një shtysë të re. Samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor më 5 qershor dhe me Moldavinë më 22 qershor përbëjnë një mundësi që nuk duhet humbur.
Qëllimi i përbashkët është përfundimi i Bashkimit Evropian si një union vërtet evropian. Për të arritur këtë synim dhe për t’i dhënë një dinamikë të re procesit, duhet të krijohen stimuj shtesë përmes integrimit gradual të bazuar në meritë. Njëkohësisht, procesi aktual i zgjerimit duhet të thjeshtohet për t’u bërë më efikas dhe për të mundësuar integrim më të shpejtë e më të thellë, në përputhje me kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument. Gjermania dhe Franca nënvizojnë se objektivi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas tyre, integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë dhe as të zgjasë rrugën drejt tij. “Përkundrazi, synimi është të krijohen nxitje që përshpejtojnë përparimin në këtë proces. Në këtë mënyrë, integrimi gradual do të kontribuojë si në zgjerimin e suksesshëm të Bashkimit Europian, ashtu edhe në forcimin e tij”, thuhet më tej në dokument.
Një tjetër element i propozimit është thjeshtimi i metodologjisë së negociatave përmes bashkimit të disa hapave proceduralë. Sipas dokumentit, fokusi i vendeve kandidate, Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së duhet të jetë më shumë te përmbajtja dhe rezultatet e reformave, sesa te procedurat administrative, ndërsa këmbëngulet për stimuj shtesë për vendet kandidate./a.d
