Xhaxhai i efektivit të vrarë, Enea Mekolli, Hazbi Mekolli ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të operacionit ku humbi jetën nipi i tij në Lozhan të Maliqit.
Gjatë një deklarate për mediat, Hazbi Mekolli u shpreh se efektivët që morën pjesë në aksion nuk kishin mbrojtjen e nevojshme, ndërsa kërkoi që të mbajnë përgjegjësi personat që urdhëruan ndërhyrjen.
“Pa asnjë lloj mbrojtjeje. Personi që e ka urdhëruar duhet të përgjigjet para ligjit. Në operacion kanë qenë 6 veta. Më vonë kanë vajtur forca të tjera nga policia”, deklaroi ai.
Sipas familjarëve, ngjarja duhet të hetohet në të gjitha dimensionet e saj, përfshirë planifikimin dhe masat e sigurisë të marra gjatë operacionit.
Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë aksionit për kapjen e Violand Bracellarit në Lozhan të Maliqit, ndërsa gjatë përplasjes u plagos edhe efektivi Edison Adri. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vendosjen e përgjegjësive për humbjen e jetës së efektivit./kb
