Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka publikuar për herë të parë Udhëzuesin Praktik për Bizneset mbi Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit, hap i cili i ndihmon ata të përgatiten për zbatimin e këtij sistemi të ri europian. Sipas përfaqësuesve të BE-së, ky hap lidhet me Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” si pjesë e procesit të integrimit të vendit tonë në familjen europiane.
“Mjedisi është një nga temat kryesore dhe prioritetet kyçe për BE-në, dhe partneriteti me sektorin privat është një nga mënyrat që do të na çojë përpara për të zgjidhur dhe adresuar të gjitha sfidat në këtë fushë. Pra, përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është një nga konceptet kyçe të ekonomisë qarkulluese që promovon një prodhim më të qëndrueshëm. Kjo është pjesë e kuadrit politik për reduktimin e mbetjeve dhe për garantimin e qëndrueshmërisë mjedisore, dhe bëhet një moment kyç sepse është pjesë e negociatave për Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, thotë Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social, BE.
Ndërsa për ekspertët e ekonomisë qarkulluese, ligji i cili do të plotësohet deri në fund të vitit me të gjitha aktet nënligjore përcakton rregulla të qarta për menaxhimin e mbetjeve.
Udhëzuesi i ri i BE-së është pjesë e fushatës kombëtare “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër” dhe synon të lehtësojë tranzicionin e bizneseve drejt ekonomisë qarkulluese, duke e shndërruar përgjegjësinë mjedisore në një avantazh konkurrues./kb
