Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për deklaratën e tij gjatë Iftarit, duke e akuzuar për hipokrizi dhe korrupsion.
Sipas Këlliçit, Rama predikoi vlerat të cilat i shkeli në mëngjes me rrëzimin e kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut.
Deputeti shton se korrupsioni është padrejtësia më e madhe që i bëhet popullit më të varfër në Europë.
Këlliçi theksoi gjithashtu se qytetarët dhe vendi duhet të përballojnë “leksionet teologjike” nga i njëjti person që kryen vjedhje dhe i mbron ato me votë në Parlament gjatë ditës.
“Të predikosh në Iftar ato vlera që shkele me këmbë në orën 10:00 paradite, vetëm Edi Rama mund ta bëjë. Korrupsioni është padrejtësia më e madhe që i bëhet popullit më të varfër në Europë. Po këta qytetarë, po ky vend duhet të durojë në darkë leksionet teologjike nga i njëjti që kryen vjedhjet dhe i mbron me votë në Parlament paradite…”, shkruan Këlliçi./mxh
