Last Updated on 24/02/2025 by adminfjala
Analisti Frrok Çupi ka komentuar takimin e kryedemokratit Sali Berisha me emigrantët shqiptarë në Athinë, duke e cilësuar atë si një ushqim të qarqeve nacionaliste greke. Çupi thekson se Berisha, gjatë këtij takimi, nuk ka prekur çështje të ndjeshme si ligji i luftës apo Çamëria, duke e cilësuar atë një “kartë të djegur” për agjendën shqiptare.
Ai shtoi se Berisha kishte një agjendë greke gjatë këtij takimi, duke i dhënë më shumë rëndësi marrëdhënieve me qarqet greke se sa interesave të shqiptarëve. Çupi e akuzoi atë se shfaqja e tij në Athinë dhe sjellja e tij me politikën greke janë një vijueshmëri e një qëndrimi të tillë, i cili synon të përdorë agjendat e huaja për të rikthyer veten në pushtet, duke mohuar çështje të rëndësishme kombëtare.
Çupi gjithashtu theksoi se Berisha ka shërbyer për interesa të jashtme dhe nuk ka ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, duke e cilësuar këtë si një mënyrë të tijën për të përdorur ndikime të jashtme për të rikthyer pushtetin në Shqipëri.
‘Berisha, për fat të keq të kombit tonë, anti-shqiptarët na kanë dalë për hundësh, ky është rast historik i paprecedentë, që ish presidenti, ish kryeministri i Shqipërisë shkon në mes të Athinës, njësoj siç shkon në vendin e krimit. Sali Berisha, ka pasur agjendë greke, agjenda shqiptare ka qenë jashtë vëmendjes së tij. Kjo shfaqet shumë hapur. Ai jo thjesht flet dy fjalë greqisht, që tenton t’i mshojë zë këtyre qarqeve, por paraqitet aty, shikoni, jam unë ai që kam qenë. Berisha është kartë e djegur në agjendurën greke. Sali Berisha nuk preku aspak ligjin e luftës, nuk tha asnjë fjalë, nuk tha asgjë për Çamërinë, për lirimin e pasurive të shqiptarëve nën ligjet absurde greke. Sali Berisha nuk mund ta bëjë këtë gjë, ne e kemi të qartë se kush i vrau oficerët e kufirit në vitin 1994, një nga protagonistët, Fredi Belerin, e ka në krah.
Kjo është një sjellje në vijueshmëri e këtij personi, që teksa shkon në Athinë, i bën me sy politikës greke, unë jam këtu, iu kam shërbyer, shkon në Itali me të njëjtë metodë, por me personazhe të tjera. Ai kujton se dikush do i çojë një zë Trump. Gjithçka ky e kërkon nga agjendat e jashtme, është e gjitha agjendë e huaj. Luan agjendat e jashtme, për të ardhur në pushtet te populli shqiptar’, theksoi ai./ S,M