Last Updated on 07/07/2026 by Anisa
Protesta e fermerëve në Prishtinë u kthye në prenë e re të Sali Berishës për të kundërshtuar qeverinë. Revoltën e një dite më parë ku fermerët derdhën qumështin te Ministria e Bujqësisë pas mbylljes së kompanisë ‘Vita’, ai e ka trajtuar ngjarjen sikur ka ndodhur në Shqipëri.
“Fermerët derdhin qumështin para Ministrisë së Bujqësisë si protestë për politikat qeveritare të falimentimit të tyre”, shkruan kryetari i PD në videon e ndarë në rrjetet sociale.

Postimi tashmë është fshirë, por gjesti nuk ka kaluar pa u vënë re nga kampi socialist.
Taulant Balla ka ripostuar momentin duke u shprehur se “me kalimin e viteve, turpi bëhet shenjë e pjekurisë”, por “kjo nuk vlen për një mashtrues.” Më tej, shpreh dëshirën që Kosova e Shqipëria të jenë më të bashkuara edhe në ngjarje të tilla, ndryshe “bufat” dhe “sorrat” do të bëjnë gjithnjë dëm.
“Populli thotë se “me kalimin e viteve, turpi bëhet shenjë e pjekurisë”. Por kjo nuk vlen për një mashtrues si Sali Berisha. Ja si përdor protestën e fermerëve në Prishtinë, për luftë politike në Shqipëri. Ai e di shumë mirë këtë por e bën me qëllim. Për të sulmuar këdo, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Do doja shumë që ai qumësht i derdhur në Kosovë, të ishte shitur në Shqipëri, sikur shalqinat e Myzeqesë të shiten në Kosovë. Duhet të jemi më të bashkuar me njëri-tjetrin. Ndryshe bufat e kënetës në Shqipëri dhe sorrat e inkubatorit në Kosovë do bëjnë gjithmonë dëm”, shkruan Balla./ad
