Last Updated on 14/04/2025 by adminfjala
Në të njëjtën ditë, dy liderët politikë shqiptarë ndodheshin në Itali për të takuar emigrantët. Ish- kryeministri Sali Berisha ishte me shqiptarët e Brescia në Itali, ku shpalli fundin e “narkodiktaturës” me 11 majin, ndërsa drejtuesi amerikan i fushatës së tij, Chris LaCivita, bën apel për mobilizim total të diasporës.
Ndërsa zgjedhjet e 11 majit afrohen, gara politike mes mazhorancës dhe opozitës po del jashtë kufijve të territorit shqiptar. Për herë të parë, diaspora do të ketë mundësinë të votojë me postë, dhe kjo ka transformuar rrënjësisht strategjitë e partive të mëdha.
Dy figurat më të fuqishme të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha, zgjodhën të njëjtën ditë për të qenë në Itali, njëri në Milano, tjetri në Brescia, në përpjekje për të mobilizuar mijëra shqiptarë emigrantë. Ky zhvillim nuk është thjesht një sinjal elektoral, por një tregues se diaspora, e cila për vite është konsideruar më shumë si një burim ekonomik përmes remitancave, tani ka kaluar në një fazë të re: është kthyer në një faktor politik.
Vota e saj jo vetëm që është e vlefshme, por mund të jetë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve. Kjo e ka shtyrë opozitën të intensifikojë retorikën dhe aksionin jashtë vendit, duke përfshirë figura ndërkombëtare si Chris LaCivita, strategun amerikan që drejton fushatën e Partisë Demokratike. Në takimin me emigrantët shqiptarë në Brescia, Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë dhe të ngarkuar me tone akuzuese ndaj kryeministrit Edi Rama.
Ai e përshkroi më 11 majin si një pikë kthese historike për vendin, duke e konsideruar votën e diasporës si momentin që do të firmosë, sipas tij, “fundin e diktaturës moderne në Shqipëri”. “Më 11 maj firmosim fundin e Edi Ramës dhe të diktaturës. Në këtë vizitë gjeta atë që s’mund të ma priste mendja kurrë. Gjeta që kreut të shtetit shqiptar ia kishin anuluar darkën zyrtare që do shtronin në nder të tij në Këshillin e Europës, pasi është sjellë në mënyrë të padenjë në tempullin e demokracisë”, tha Berisha.
Ai e përshkroi Ramën si drejtues të një “narkodiktature” që po përdor bandat, burgimet selektive dhe kontrollin institucional për të mbajtur pushtetin. Për Berishën, çdo votë nga diaspora është një akt rezistence dhe një shans për të rrëzuar atë që e konsideron si një regjim. Ndërsa fjalimi i Berishës përmbante pjesërisht elemente të njohura të retorikës së tij politike, e reja në këtë takim ishte prezenca e Chris LaCivita, strategut republikan amerikan që ka drejtuar fushata presidenciale në SHBA.
Ai u prezantua para shqiptarëve si zëri që do të sjellë një dimension të ri në mobilizimin politik. “Shqipëria po humb më të mirët dhe më të mençurit për mundësi që nuk ekzistojnë më. Për 12 vite, Edi Rama dhe socialistët ua kanë bërë të pamundur shqiptarëve të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre. Por tani, me votën tuaj, mund ta ndryshoni këtë”, u shpreh LaCivita, duke marrë shembull fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale, përmes pjesëmarrjes masive të amerikanëve.
Ai theksoi se shqiptarët që jetojnë jashtë, nëse votojnë në numër të madh, mund të vendosin drejtimin e vendit. “Nëse çdo njëri prej jush çon zarfin e votës në postë, e ardhmja e Shqipërisë mund të ndryshojë realisht”, deklaroi ai. Berisha shtoi se opozita është “ringjallur nga hiri” dhe është e vendosur të çojë përpara një mision që, sipas tij, është jo vetëm politik por edhe kombëtar.
Ai e cilësoi Partinë Demokratike si “forca që mishëron idealet e diasporës”. Në takimin e organizuar me bashkëpunimin e degëve të PD-së në Itali, u vu re një pjesëmarrje e lartë e emigrantëve që, ndonëse të shpërndarë në qytete të ndryshme, kanë filluar të ndjehen më të përfshirë në politikën shqiptare, sidomos pas hapjes së mundësisë për të votuar nga jashtë.