Last Updated on 01/06/2026 by Monika
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka marrë fjalën e tij në seancën e sotme plenare, ku foli për investimet e huaja në Shqipëri. Berisha u shpreh se në 13 vite qeverisje të PS-së asnjë investitor të huaj nuk ka pasur në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në mbështetje të investimeve të huaja. Ndër të tjera akuzoi qeverinë se do të marrë aksionet e aeroportit të Vlorës.
“Në 13 vite nuk ka asnjë investitor të huaj në tokën shqiptare. Asnjë tender në Shqipëri nuk është fituar nga kompani europiane. Asnjë investitor i huaj. Çfarë po ndodh? Qëndrimi i PD-së është se investimet e huaja kanë një rëndësi jetike për Shqipërinë. Gjatë qeverisjes tonë u garantua një investim në sektorin energjetik me vlerë 2 miliardë euro. Nga 2008-2013 investimet e huaja varionin nga 1.2-1.4 miliardë euro.
Partia Demokratike mbështet investimin e huaj dhe ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Po qe se ke projekt të miratuar nga qeveria me dokumentet të firmosura nga institucione zyrtare, askush tjetër nuk do kishte të bënte me ju. Çdo qytetar për çdo abuzim kishte shtetin që do ta dëmshpërblente me kushtet e tregut dhe do ndëshkonte falsifikatorin dhe spekulantin.
Shiheni ç’po ndodh me aeroportin e Vlorës. Po bëheni copash për të marrë aksionet. Doni t’i merrni aksionet se janë në lojë 130 milionë euro. Pasi vendos Gjykata e Lartë, del Karakaçi dhe thotë: gjeni zgjidhje. Qytetari u rrëmbye barbarisht dhe u zvarrit, dhe tani komunikata e Skënder Hitës ishte se u fut në pronë me dhunë, por më pas doli video që ishte larg telave dhe e morën e futën brenda telave. Atëherë reagoi Skënder Hita. Ku ishit ju kur filloi ndërtimi i aeroportit? Ishte krim se asgjësoi habitatin e dhjetëra specieve të rralla të shpendëve”, tha Berisha./mxh
