Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Kreu i Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, paralajmëroi zv.kryeministren Belinda Balluku të mos largohet nga Shqipëria, ndërkohë që në Kuvend është mbledhur Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Berisha u shpreh se në Kuvend po mbahet seanca e shtyrë prej tre muajsh, e cila, sipas tij, i dha mundësinë Ballukut “të shkatërrojë mijëra dokumente, të intimidonte dhe kërcënonte dhjetra dëshmitarë”.
“Sot në Kuvend po mbahet seanca e shtyrë tre muaj, me të cilën Lubisë iu dha mundësia të shkatërrojë mijëra dokumente dhe të kërcënojë dhjetra dëshmitarë. Komshia thotë se prej katër ditësh nuk e ka parë të hyjë në shtëpinë e saj. Një gjë i them: edhe prapa diellit të shkosh, do të të gjejmë dhe do të të rikthejmë në Shqipëri, ndaj mos tento të largohesh. Asaj dhe çdo njeriu tjetër”, tha Berisha.
Ai iu referua gjithashtu protestës paqësore të 20 shkurtit, duke theksuar se ajo solli ekspozimin ndërkombëtar të figurave kryesore të qeverisë:
“Siç e dini, kryengritja paqësore e 20 shkurtit paraqiti para çdo shqiptari dyshen Rama-Balluku më të nxirë se kurrë ndonjëherë. Por kjo nuk ndodhi vetëm para shqiptarëve; pasqyra ka qenë e qartë në mediat më të mëdha të botës. Nga Zelanda e Re, në Alaskë, nga Poli i Veriut në Polin e Jugut, figurat më të nxira në mediat botërore kanë qenë Rama dhe Balluku. Ka pasur një mirëkuptim të plotë nga mbarë shqiptarët për kryengritjen dhe një vendosmëri të papërmbajtur për t’i shkuar deri në fund këtij misioni për largimin e këtij binomi famëzi nga qeverisja”, tha Berisha.
Kryedemokrati akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po kryen negociata të fshehta për të shpëtuar veten dhe bashkëshorten në këmbim të Ballukut:
“Ju jeni dëshmitarë sesi Edi Rama ka bërë ditë të tëra negociata sekrete për lëkurën e tij dhe të bashkëshortes së tij në shkëmbim të Lubisë. Nëse një marrëveshje e tillë arrihet, kjo do të ishte kapitullimi përfundimtar i drejtësisë dhe asgjësimi i institucionit të akuzës. Unë jam i vetëdijshëm se Lubi Balluku ka shkelur ligjin dhe ka vjedhur, por gjithçka ka bërë e ka bërë me urdhër të Ramës”, deklaroi ndër të tjera Berisha./A.D
