Last Updated on 07/05/2026 by Monika
E ardhmja e Kristjan Asllanit te Besiktas duket drejt fundit, pas vendimit të klubit turk për të mos ushtruar opsionin e blerjes së kartonit të tij.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare u transferua në janar nga Interi në formë huazimi, por paraqitjet e tij nuk kanë bindur drejtuesit e klubit nga Stambolli.
Sipas mediave turke, Besiktas nuk dëshiron të paguajë rreth 12 milionë euro, shifër e vendosur nga Interi për transferimin e lojtarit.
Eliminimi në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë dhe sezoni pa trofe kanë ndikuar në strategjinë financiare të klubit. Besiktas synon të reduktojë shpenzimet dhe të rishikojë projektin sportiv për sezonin e ardhshëm. Asllani pritet të mbyllë aventurën e tij në Turqi pas dy javësh dhe të rikthehet në Itali.
Megjithatë, edhe te Interi hapësirat për mesfushorin shqiptar duken të kufizuara dhe klubi zikaltër pritet të shqyrtojë alternativa të tjera për të ardhmen e tij. Për momentin, mbetet e paqartë se cili do të jetë destinacioni i radhës për 24-vjeçarin./mxh
