Last Updated on 11/09/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama ka folur për raportin e tij me besimin dhe dyshimin ndaj njerëzve, gjatë intervistës maratonë me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin “Flasim”.
Duke folur për prirjen e tij për t’u besuar njerëzve dhe për dobësinë që ka ndaj kontrollit, Rama tha se ka punuar me tre drejtore të Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Për fat të mirë nga disa drejtime dhe për fat të keq unë e kam dobësinë time, unë nuk jam një njeri që nxitem ta kontrolloj. Kam punuar me tre drejtore të shërbimit sekret shqiptar. Unë besoj shumë te njerëzit, jam rritur me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime. Ishte njeriu që kisha shumë afër që i vogël, ajo ishte një katolike, praktikante dhe në atë kohë kur feja ishte e ndaluar. Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues, kam pasur në mënyrë të veçantë një, bashkudhëtar për një kohë të caktuar rruge, ishte njeri dhe është, por tashmë jo bashkudhëtar”, tha Rama.
Gazetarja Rudina Xhunga e pyeti nëse bëhej fjalë për Ilir Metën.
“Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi. Gjithmonë kam besuar se të dyshosh te të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi, besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët”, u shpreh kryeministri.
Intervista maratonë e kryeministrit Edi Rama përballë gazetares Rudina Xhunga është një nga intervistat më të gjata të realizuara ndonjëherë me të.
Në studion e podcastit nuk është Edi Rama ai që drejton bisedën, por Rudina Xhunga, e cila e vendos përballë rreth 300 pyetjeve.
Për më shumë se katër orë, kryeministri i përgjigjet gjithçkaje, pa lënë mënjanë as temat më të debatueshme: nga Trump te Meloni, nga Vuçiç te Thaçi, nga Erdogan te Netanjahu, nga Veliaj te Balluku, nga Ahmetaj te Agasi, nga Sazani te Zvërneci dhe, sigurisht, flet gjatë për Revolucionin e Flamingove./et
