Bilanci i Bankës së Shqipërisë arriti vlerë më të lartë historike në muajin shtator.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i aktiveve arriti vlerën e pothuajse 846 miliardë lekëve, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Vlera e aktiveve të bilanc u zgjerua me 2.4% krahasuar me gushtin dhe me 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në një këndvështrim të thjeshtuar, zmadhimi i bilancit të Bankës Qendrore tregon, si rrjedhojë, një injektim më të madh të parasë në ekonomi. Vlera e parasë në qarkullim (që paraqitet në bilancin e Bankës së Shqipërisë si detyrim), është në rritje vjetore me 15.5%.
Një tjetër komponent i rezervës valutore të Bankës Qendrore, ari monetar, gjithashtu raportohet në rritje të ndjeshme, me një vlerë prej 57.6 miliardë lekësh, 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Rritja e këtyre zërave në mënyrë të tërthortë tregon se zgjerimi i bilancit është i lidhur edhe me rritjen e vlerës së rezervës valutore që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit, të muajit gusht, rezerva valutore arriti vlerën më të lartë historike, në pothuajse 7.1 miliardë euro, 22% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Banka Qendrore prej vitesh po ndjek një politikë të shtimit e rezervave valutore, në funksion të nevojave të mundshme të ekonomisë dhe sektorit financiar. Rezerva është rritur me blerje të vazhdueshme dhe në rritje të valutës në tregun e brendshëm, nëpërmjet ankandeve të planifikuara.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro.
Rritja e rezervës valutore është përcaktuar edhe nga faktorë me ndikim më afatshkurtër, si emetimet i Eurobondeve nga qeveria në tregjet e huaja financiare.
Megjithatë, ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve në tregjet ndërkombëtare. Pas vitit 2024, ulja e normave të interesit ka sjellë rritje të çmimit të letrave me vlerë të borxhit dhe të arit në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar rrjedhimisht edhe në rritjen e vlerës së aseteve të mbajtura në këto instrumente. /Monitor.al/kb
