Universal Pictures ka njoftuar se filmi biografik kushtuar reperit legjendar Snoop Dogg do të dalë në kinematë botërore më 6 gusht 2027.
Sipas studios, filmi do të rrëfejë historinë e artistit, sipërmarrësit dhe një prej figurave më ikonike të gangsta rap, duke ndjekur rrugëtimin e tij drejt suksesit. Aktori Jonathan Daviss do të interpretojë Snoop Dogg në faza të ndryshme të jetës dhe karrierës së tij, ndërsa një pjesë e rëndësishme e ngjarjeve do të fokusohet te ngritja e tij në skenën muzikore gjatë viteve 1990.
Regjinë e filmit e mban Craig Brewer, i cili ka punuar edhe mbi skenarin, të bazuar në versionin fillestar të Joe Robert Cole. Në kolonën zanore do të përfshihen edhe disa nga hitet më të njohura të Snoop Dogg, si “Drop It Like It’s Hot”, “Gin and Juice” dhe “What’s My Name?”.
Në ekipin e producentëve bëjnë pjesë Brian Grazer nga Imagine Entertainment, vetë Snoop Dogg, si edhe presidentja e Death Row Pictures, Sara Maker. Filmi pritet të shfaqet zyrtarisht në kinema më 6 gusht 2027.
Snoop Dogg, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Cordozar Broadus Jr., është një nga reperët më të suksesshëm dhe më me ndikim në historinë e hip-hopit. Ai u bë i famshëm në fillim të viteve 1990 pas bashkëpunimit me Dr. Dre dhe publikimit të albumit të tij debutues “Doggystyle”
Snoop Dogg është i martuar me Shante Broadus, me të cilën ka një histori të gjatë dashurie. Ata u martuan në vitin 1997, u ndanë për një periudhë të shkurtër kur Snoop paraqiti kërkesë për divorc në vitin 2004, por më pas u pajtuan dhe rinovuan betimet martesore në vitin 2008. Çifti kanë tre fëmijë së bashku dhe Shante ka qenë një nga mbështetëset kryesore të reperit gjatë karrierës së tij./mxh
