Last Updated on 04/03/2026 by EL
Sipas asaj që shkruan “The New York Times”, duke cituar zyrtarë me dijeni mbi çështjen, agjentë nga shërbimet sekrete iraniane nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me SHBA-në përmes CIA-s.
Oferta thuhet se është bërë përmes një shërbimi informativ të Iranit, emri i të cilit nuk është bërë publik. Gazeta amerikane citon zyrtarë nga Lindja e Mesme dhe nga një shtet perëndimor, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Diplomaci e fshehtë mes Iranit dhe SHBA-së, çfarë shkruan The New York Times
Një burim nga Ministria iraniane e Inteligjencës e hodhi poshtë raportimin si “gënjeshtra absolute dhe luftë psikologjike në mes të konfliktit”, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim News Agency.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë dhe CIA nuk kanë dhënë ende koment lidhur me raportimet.
Zyrtarë në Uashington shfaqen skeptikë nëse Irani apo administrata e Donald Trump janë realisht të gatshëm për një “dalje nga kriza”, të paktën në afat të shkurtër, thekson artikulli.
Ndërkohë, ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë përjashtoi dje çdo mundësi negociatash në këtë fazë me Uashingtonin, vetëm pak ditë pasi SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të përbashkëta kundër vendit të tij.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi dje se Teherani kërkon bisedime, por shtoi se është shumë vonë, ndërsa SHBA-ja vijon operacionet ushtarake kundër Iranit./ET
