“Nothing says fall in New York like…” Kushdo që e ka ndjekur Gossip Girl e di se vjeshta në Nju Jork nuk është thjesht një stinë, por edhe një mundësi për të shpalosur stilin personal. Dhe kur bëhet fjalë për veshjet, Blair Waldorf mbetet një nga personazhet televizive më elegante, me kombinime që vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot.

Nga shiritat karakteristikë të flokëve te getat me ngjyra dhe aksesorët e shumtë, Blair na tregoi se një pamje vjeshtore nuk duhet të kufizohet te palltot klasike dhe tonet neutrale. Ja tri ide nga stili i saj që mund t’i përshtatni edhe në gardërobën tuaj këtë sezon.
1. Aksesorët e flokëve mund të bëjnë diferencë

Nëse gjatë verës shamitë e flokëve dhe kapelet janë ndër aksesorët më të preferuar, vjeshta është momenti i duhur për t’u rikthyer te shiritat e kokës. Blair Waldorf i kishte kthyer ato në një nga elementet më karakteristike të stilit të saj, duke i kombinuar me veshje elegante, fustane me motive dhe pallto klasike.

Të thjeshtë, me fjongo, me motive apo me detaje dekorative, shiritat e kokës mund t’i japin karakter edhe një kombinimi fare të zakonshëm. Për më tepër, janë një mënyrë e thjeshtë për ta bërë pamjen të duket më e kuruar, pa pasur nevojë të ndryshoni të gjithë veshjen.
2. Getat me ngjyra mund ta transformojnë kombinimin

Kur temperaturat bien, getat e zeza dhe ato në ngjyrë bezhë janë zakonisht zgjedhjet më të sigurta. Por Blair na tregoi se ky element praktik mund të shndërrohet edhe në pikën më interesante të veshjes.

Getat e kuqe, të bardha apo me motive dantelle i japin një pamje të re kombinimit me fustane, funde dhe këpucë elegante. Nuk është e nevojshme që e gjithë veshja të jetë e guximshme: mjafton një detaj me ngjyrë për ta bërë atë të duket më e veçantë. Nëse preferoni një stil më të përmbajtur, mund të nisni me geta me teksturë ose me motive diskrete.

3. Mos kini frikë të kombinoni disa aksesorë

Blair Waldorf nuk ishte adhuruese e minimalizmit kur bëhej fjalë për aksesorët. Çantat elegante, bizhuteritë, shiritat e flokëve, shallet dhe getat me motive shpesh bëheshin pjesë e të njëjtit kombinim, duke krijuar pamje të pasura dhe plot personalitet.

Kjo është një kujtesë e mirë se aksesorët nuk duhet të trajtohen gjithmonë si detaji i fundit i një veshjeje. Ata mund të jenë vetë pika e nisjes për një kombinim. Mund të provoni, për shembull, një çantë me ngjyrë të fortë, një shall me motive ose disa bizhuteri që plotësojnë njëra-tjetrën.

Sekreti është të gjeni një ekuilibër mes ngjyrave, materialeve dhe formave, pa hequr dorë nga elementet që ju pëlqejnë. Sepse, siç na kujton stili i Blair Waldorf, vjeshta është një nga stinët më të mira për të eksperimentuar me modën dhe për t’i dhënë veshjeve të përditshme pak më shumë karakter.
Ah, dhe ngjyra, shuuuumë ngjyra!/k.m



