Last Updated on 02/12/2025 by Kesjana
Prej 1 dhjetorit ka nisur shpërndarja e bonusit për pensionistët në të gjithë vendin. Për të sqaruar procesin e shpërndarjes nga posta të bonusit, në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri” ka qenë i ftuar drejtori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.
Ky i fundit bëri me dije se objektiv i të gjitha filialeve të Postës Shqiptare në vend, është përfundimi i shpërndarjes së shpërblimeve brenda muajit dhjetor. Për personat të cilët nuk do të kenë mundësi që këtë tërheqje ta kryejnë brenda 31 dhjetorit, Xhafaj shpjegoi se do të kenë mundësi ta kryejnë këtë proces deri më 30 qershor të 2026-ës.
“Ka filluar që nga data 1 dhjetor dhe do vijojë përgjatë gjithë muajit. Objektivi ynë dhe i të gjitha zyrave apo filialeve të postës shqiptare në terren është që procesi të mbarojë brenda këtij muaji. Kalendarizimi nuk vjen vetëm nga Posta Shqiptare. Ka një akord me institutin e Sigurimeve Shoqërore në bazë të të cilit vendoset kalendarizimi për të evituar radhët, problematikat duke pasur parasysh dhe motin. Mbi 700 mijë pensionistët që do përfitojnë bonusin, mund ta tërheqin në të njëjtën datë që tërheqin pensionin, për të evituar kaosin në zyrat e postës dhe për t’u siguruar që dhe për ta ka një lloj vazhdimësie për shërbimin që marrin pranë filialeve të Postës Shqiptare.
Nëse vijnë para festave do vijohet me kalendarin sipas pensioneve. Nga 1 janari do kenë mundësinë ta tërheqin deri në fund të muajit qershor. Është një shërbim që do vazhdojë, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe qeverisë për të shpërndarë një bonus për festat e fundvitit”, deklaroi Xhafaj.
Ai theksoi se i njëjti planifikim shpërndarjeje bonusi do të funksionojë edhe për pensionet e invaliditetit apo të formave të tjera të cilëve do u dorëzohet në shtëpi së bashku me pensionin.
“I njëjti planifikim për shpërndarjen e pensioneve, do shkojnë dhe për ata që përfitojnë pensionet e invaliditetit e forma të tjera. Të gjithë ata që iu dorëzohet në shtëpi, pensionin do e përfitojnë në të njëjtën mënyrë deri në përfundim të këtij muaj dhe më pas në vijim në bazë të marrëveshjes që kanë me postën për ata që nuk janë në shtëpi në muajin dhjetor”, theksoi ai.
Xhafaj theksoi se ditën e parë të nisjes së shpërndarjes së bonusit, vetëm në Vlorë janë tërhequr gati 1 mijë pensione dhe bonuse.
“Radhë nuk mund të them se ka pasur. Dje ishte një ditë zyrtare pushimi dhe zgjodhën t’i përgjigjshin kërkesës sonë për të mundësuar shpërndarjen normale të pensioneve në të gjitha zyrat. Janë shpërndarë gati 1 mijë pensione dhe bonuse që ditën e parë në Vlorë”, përfundoi Xhafaj./kb
