Rihapja e ngushticës strategjike të Hormuzit nuk mjafton për të rikthyer stabilitetin ekonomik global. Ky ishte mesazhi i Ministres së Jashtme britanike Yvette Cooper, gjatë një fjalimi mbi sfidat e reja të sigurisë ndërkombëtare.
Cooper theksoi se bllokimi i kësaj rruge jetike detare ka lënë mijëra marinarë të bllokuar dhe ka shkaktuar tronditje të mëdha në furnizimin global me energji. Ajo nënvizoi se rihapja e plotë dhe pa kushte e ngushticës është thelbësore, duke këmbëngulur se liria e lundrimit nuk duhet të cenohet apo të kthehet në një rrugë me tarifa.
Sipas saj, paqëndrueshmëria globale është bërë tashmë një realitet i përhershëm. “Turbulenca është normaliteti i ri”, u shpreh ajo, duke shtuar se sfidat aktuale nuk nisën me konfliktin në Iran dhe nuk do të përfundojnë me rihapjen e kësaj rruge detare.
Diplomatja britanike kritikoi gjithashtu mënyrën se si globalizimi është menaxhuar në të kaluarën, duke theksuar se zinxhirët e furnizimit të padiversifikuar janë kthyer në mjete presioni ekonomik dhe se ndërvarësia globale po përdoret gjithnjë e më shumë si armë.
Në këtë kuadër, ajo theksoi se qeveria britanike, nën drejtimin e kryeministrit Keir Starmer, po vendos sigurinë kombëtare dhe ekonomike në qendër të politikës së jashtme, duke shmangur përfshirjen në veprime ushtarake kundër Iranit.
Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit mbeten thelbësore për ekonominë globale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar përballet me një periudhë të gjatë pasigurie dhe tensioni./mxh
