Last Updated on 26/11/2026 by EL
Ditën e sotme u dha vendimi mbi një fraksion të dosjes Meta. Theksoj në krye të herës se shkrimi nuk ka për qëllim aspak të vendosë në “sheshin” mediatik ndonjë nxitje për të dënuar apo hequr të drejtën e lirisë të pandehurve që morën dënimin sot apo dhe pafajësinë. E gjitha konsiston në një vijë të hershme të parathënë me atë që kemi të bëjmë me drejtësinë tonë të re, që mesa duket nga buja e madhe na del sot një tollumbace.
E mbani mend besoj se çfarë bëri SPAK-u me titujt e gazetave, me fjalitë e shkëputura nga dosjet dhe i nxori në tregun mediatik si në tregun e gjësë së gjallë.
Doli vila me “WC e arit”, siç SPAK bën shpesh me fustane, me 300 apartamente me lloj e lloj “bolde” fjalësh që lëshon në hava duke e vënë drejtësinë publike përpara vendimit dhe në fund ja çfarë del, një pufkë e tërë.
Nga ana tjetër theksoj se ky shkrim s’ka fare për qëllim të glorifikojë figurën e Metës dhe Kryemadhin apo dosjen e tij, se dhe në sens personal do isha hipokrit se prej më shumë se 10 vitesh kam shkruar dhe kam vendosur me vëmendje politikanin Meta dhe Kryemadhi si simbole të korrupsionit, që nga “blloku në dorë i Gimit” e deri tek “Iphonet” që dilnin nga bagazhi i makinës dhe shpërndaheshin në zgjedhje.
Çështja është te vendimi që duket si një korrupsion me leverdi që në fund pas dënimit nuk ke në horizont asnjë humbje të pasurisë, kur vetë kërkesa shoqërore i dha besimin drejtësisë së re pikërisht për faktin se ata që do dënoheshin shkonin në burg për paratë e vjedhura të shqiptarëve.
Ndaj sensi i drejtësisë me statistikë, i drejtësisë me bujë, me tituj gazetash, me histori rozë portalesh do dilte në fund si në këtë vendim, ku nga vila e memeve, bëhet vendimi meme, e në mos drejtësia bashkë me vendimin më meme akoma.
Jo më larg se dje, edhe pse si deklaratë është e zakonshme për një ambasador amerikan, u tha në mesazh “follow the money”, ku me një gjuhë më të thjeshtë ishte një kritikë për SPAK-un: Që lërini llomotitjet dhe spektaklin, lërini dosjet si letërsi dhe romane policore, po merruni me situatën konkrete se nuk po shkojmë gjëkundi pa dalë ndonjë lek i kapur apo ndonjë vilë e konfiskuar.
Edhe jo më larg se dje, vila e famshme e titujve iu kthye zonjës. Zonjës mund t’i takojë, por mua si gazetar apo qytetarëve ca më shumë me atë bujën e madhe të titujve na e bëri sikur jo i mori vetëm atë që i ktheu sot, por do i merrte dhe nja 10 të tjera.
Rasti i 26 nëntorit nuk është vendimi përfundimtar për Metën dhe Kryemadhin. Procesi i tyre vijon veçmas dhe përgjegjësia penale e secilit do të përcaktohet nga gjykata.
Në fund, publiku nuk duhet të mbetet vetëm me historinë se kush u arrestua, kush u mor i pandehur dhe sa vite burg kërkoi SPAK-u. Pyetja më e rëndësishme është se çfarë u provua, çfarë u konfiskua dhe sa nga paratë që dyshohet se janë përfituar përmes korrupsionit u rikthyen te qytetarët.
Drejtësia e re nuk mund ta masë suksesin me numrin e prangave, ndërsa bilancin e parave të rikuperuara ta lërë në plan të dytë. Në luftën kundër korrupsionit, arrestimi mund të jetë fillimi i procesit, por prova dhe rikuperimi i pasurisë janë ato që përcaktojnë rezultatin.
