Opozita kërkoi sërish me këmbëngulje zv.kryeministren Belinda Balluku në Komisionin e Ekonomisë, për dëgjesën për buxhetin 2026 që do të marrë dikasteri që ajo drejton. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Deputetët demokratë njëzëri thanë se duhet të jetë ministrja ajo që duhet të paraqitet në Komision, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e saj.
Balluku ndodhet në Itali për mbledhjen për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. Por, zv.kryeministrja e pandehur nga SPAK për tunelin e Lloagarasë nuk u paraqit dje as në Komisionin për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën, çka solli irritimin e opozitës.
Kryetarja e komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi tha se ministrja ka axhendë, por deputetët e opozitës këmbëngulën që diskutimi të shtyhet një ditë tjetër pasi Balluku nuk do të qëndrojë në Itali.
Igli Cara: Ta shtyjmë këtë mbledhje, është e papranueshme mungesa e znj.Balluku. Nuk besoj se do të qëndrojë gjatë në Itali, nesër kthehet. Të mos jetë pikërisht ministrja, e cila ka pjesën më të madhe të parave nga buxheti. Jemi gati të dalim edhe të dielën, por znj. Balluku duhet ta kemi patjetër në këtë komision.
Milva Ekonomi: Znj.Balluku është në një detyrë qeveritare, relacionin e kemi dhe ne mund ta vazhdojmë mbledhjen. Mendoj se është mirë ta vazhdojmë dëgjesën.
Deputetja Alolli tha se duhet të jetë Balluku ajo që duhet të japë llogari për miliona eurot e vjedhura dhe jo zv.ministrat që u paraqitën në Komision.
Ledina Alolli: Kemi pasur ministra që kanë mbrojtur buxhetet përkatëse. Sot kur diskutohen investimet publike, ministrja nuk është. Nuk ka detyrë më të lartë se kjo që ka të bëjë me interesat e qytetarët. Kjo mbledhje nuk mund të vazhdojë. Duhet të ketë ministrja të japë llogari për të gjitha ato miliona që janë vjedhur.
Igli Cara: Kemi pranuar shpesh edhe zv.ministren, por kur bëhet fjalë për buxhetin, ministrja nuk mund të rrijë pa fund në Itali. Por ditë të shtunë, të dielë të hënë nuk është ministrja këtu. Nuk ka asnjë problem që të shtyhet komisioni për 24 orë. Ne jemi komision përgjegjës.
Ekonomi vendosi 10 minuta pushim për vendimmarrje, por më pas mbledhja rinisi dhe seanca u zhvillua me praninë e zv.ministrave./ K.M
