Last Updated on 07/05/2026 by Anisa
Kërkesat e opozitës për interpelanca me kryeministrin Edi Rama për çështje që lidhen me aferat korruptive të qeverisë refuzohen në vijëmësi nga mazhoranca, edhe pse ky është një mekanizëm parlamentar ligjor për llogaridhënien e qeverisë para Kuvendit.
Kuvendi e nisi seancën e së enjten me rrëzimin e një kërkese për interpelancë urgjente të dorëzuar nga deputetët e Partisë Demokratike me Kryeministrin Edi Rama për hetimet që lidhen me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë së Informacionit, AKSHI, ku Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ngritur akuza për grup të strukturuar kriminal për ish-drejtues dhe biznesmenë që abuzonin me tenderat.
Në përgjigjen refuzuese për kërkuesit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, justifikonte refuzimin e interpelancës me argumentin se çështja është në hetim penal dhe një debat parlamentar mbi këtë hetim do të përbënte cënim të hetimeve dhe cënim të balancës së pushteteve.
“Përmbajtja e kërkesës, në thelb, përbën një përpjekje për të transferuar në sallën e Kuvendit një debat që i përket ekskluzivisht juridiksionit të organeve të drejtësisë, duke synuar krijimin e nje “gjykate politike” mbi bazën e informacioneve të paadministruara në mënyrë përfundimtare nga autoritetet gjyqësore,” shkruante ndër të tjera ai.
Sipas Peleshit, pyetjet e ngritura në kërkesë presupozonin se kryeministri ishte në dijeni të hetimit penal që po zhvillohet ndaj agjencisë në varësi direkte të tij, por ky pretendim ishte i pabazuar ligjërisht sipas tij.
Por, për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, qëndrimi i Peleshit dhe i mazhorancës ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Nëse nuk zbatoni Kushtetutën dhe nuk sjell dot Edi Ramën në seancën plenare, jep dorëheqjen”, iu drejtuar ai Kryetarit të Kuvendit.
Ky nuk është rast i izoluar pasi prej vitesh kryeministri nuk paraqitet në interpelancat e kërkuara nga opozita, pasi kërkesat rrëzohen ose në disa raste i delegohen ministres së shtetit për Parlamentin.
Bardhi tha se PD do të bëjë ankimim në Gjykatën Kushtetuese për refuzimet e përsërituara mdaj kërkesave për interpelancë.
“Po tejkaloni procedurat, po asgjësoni të drejtat e opozitës, parlamentarizmin dhe demokracinë”- tha më tej Bardhi duke iu referuar vendimeve të kryetarit të Kuvendit.
Më herët Kuvendi kishte rrëzuar kërkesa të tjera të opozitës për interpelanca me kryeministrin dhe ministra të kabinetit qeveritar për të tjera afera korruptive ose çështje me interes publik.
Peleshi refuzoi t’i jepte fjalën në seancën e së enjtes deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për refuzimin e disa kërkesave për interpelancë që ai dhe deputeti tjetër i kësaj partie Erald Kapri kishin dorëzuar në Kuvend në vazhdimësi për tenderat e AKSHI-t, fondet e IPARD-it dhe për borxhet e kompanisë ajrore Air Albania.
Shehaj kërkoi vendosjen në rend dite të njjë tjetër kërkese të dorëzuar që në tetor me pyetje mbi konçensionin e rrugën Thumanë-Kashar.
Edhe deputeti socialist Erion Braçe ngriti në Kuvend problematikën e refuzimit të një interpelance me ministrin e Bujqësisë dhe ripërsëriti shqetësimin se deputetëve nuk u kthehej përgjigje në afatet ligjore për kërkesat e tyre për informacion.
Ai pretendoi se vetë ministri i kishte kthyer përgjigje refuzuese ndaj kërkesës për interpelancë.
Rregullorja e Kuvendit e parashikon mekanizimin e kërkesave për interpelancë dhe “mocionet me debat” për deputetët për të thirrur kryeministrin dhe anëtarë të kabinetit për aspekte të rëndësishme të punës së qeverisë.
Bashkë me komisionet hetimore parlamentare këto janë mekanizma që i japin opozitës dhe vetë mazhorancës të drejtën për të kërkuar llogaridhënie ndaj qeverisjen, por mazhoranca socialiste ka ndjekur një politikë kryesisht refuzuese ndaj këtyre mekanizmave.
