Last Updated on 07/07/2026 by EL
Festimi i famshëm i Donald Trumpit është rikthyer në qendër të vëmendjes në botën e sportit, pasi lojtarët e Belgjikës e përdorën atë pas golit të katërt ndaj SHBA-së në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës.
Veprimi i belgëve u interpretua nga shumë tifozë si një thumbim ndaj presidentit amerikan, veçanërisht pas polemikave para ndeshjes, kur Trump kishte ndërhyrë për të ndihmuar në anulimin e pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili fillimisht rrezikonte të mungonte për shkak të kartonit të kuq.
Por kjo nuk ishte hera e parë që sportistë përdorën këtë festim para kamerave.
Në vitet e fundit, “Trump dance” është bërë një fenomen që ka kaluar kufijtë e politikës dhe është shfaqur në disa prej sporteve më të mëdha në botë.
Ky kërcim karakterizohet nga lëvizjet e ijeve, grushtat e ngritur në ajër dhe në disa raste edhe një imitim i një goditjeje golfi, një rutinë që u bë e njohur nga Trump pas fushatës së tij presidenciale dhe fitores ndaj Kamala Harris.
Nga NFL te futbolli ndërkombëtar
Pak ditë pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, lojtari i futbollit amerikan Nick Bosa e realizoi këtë kërcim gjatë një feste me bashkëlojtarët e tij te San Francisco 49ers.
Bosa kishte qenë më parë i gjobitur nga NFL pasi gjatë një interviste televizive pas një ndeshjeje kishte mbajtur një kapelë me mesazh pro-Trump.
Festimi u kopjua më pas nga lojtarë të tjerë të NFL-së, përfshirë Brock Bowers, Calvin Ridley dhe Za’Darius Smith, si dhe nga disa sportistë të futbollit amerikan.
Edhe ylli i kombëtares së SHBA-së, Christian Pulisic, iu bashkua këtij trendi.
Pas golit të tij në ndeshjen e Ligës së Kombeve të CONCACAF ndaj Xhamajkës, ai festoi me “vallëzimin e Trumpit”.
Ky veprim më pas u përhap edhe jashtë SHBA-së. Golferja britanike Charley Hull e bëri gjatë një turneu të LPGA Tour, ndërsa futbollistët e Barnsley festuan në të njëjtën mënyrë pas një goli ndaj Cambridge United.
Pse po e bëjnë sportistët?
Arsyet e sportistëve për këtë festim nuk janë gjithmonë të qarta. Për disa, është thjesht një trend i rrjeteve sociale dhe një mënyrë argëtuese për të festuar.
Megjithatë, disa prej tyre kanë folur për motivet e tyre.
Luftëtari i UFC-së, Jon Jones, e realizoi kërcimin pasi mbrojti titullin e kampionit në peshat e rënda ndaj Stipe Miocic në “Madison Square Garden” dhe falënderoi Trumpin për praninë e tij në event.
“Dua të falënderoj shumë presidentin Donald Trump që ishte këtu. Çfarë mendoni për versionin tim të vallëzimit të Donald Trumpit?”, kishte thënë Jones pas duelit.
Trump më pas shpërndau videon e këtij momenti në platformën e tij “Truth Social”.
Ndërkohë, Pulisic insistoi se festimi i tij nuk kishte karakter politik.
“E pashë që të gjithë po e bënin në NFL, pashë Jon Jones duke e bërë dhe thjesht po argëtoheshim. Natyrisht që është ‘Trump Dance’, por ishte vetëm një kërcim që të gjithë po e bënin”, deklaroi sulmuesi amerikan.
Edhe NFL ka bërë të ditur se nuk do të marrë masa ndaj lojtarëve që përdorin këtë festim, pasi liga nuk e konsideron atë si një deklaratë politike.
Zëdhënësi i NFL-së, Brian McCarthy, e përshkroi atë si një “festim të zakonshëm” dhe tha se nuk kishte asnjë problem me përdorimin e tij nga sportistët. /et


