Last Updated on 07/09/2025 by adminfjala
Pensionistët shqiptarë sot po jetojnë më keq se kurrë, pasi inflacioni ka gllabëruar çdo rritje simbolike që qeveria ka bërë vitet e fundit. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ngre alarmin se të moshuarit po varfërohen dita-ditës dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria. Sipas tij, nuk mjafton vetëm indeksimi formal që bëhet një herë në vit, por duhet rritje reale e pensioneve dhe dhënie bonusesh që të përballohet kostoja e jetesës. Të moshuarit jetojnë me të ardhura aq të ulëta sa nuk mbulojnë dot as shpenzimet bazë, duke i shtyrë shumë prej tyre drejt varfërisë ekstreme.
Ai paralajmëron se Shqipëria nuk mund të pretendojë hyrjen në Bashkimin Europian pa garantuar standarde minimale jetese për qytetarët më të ndjeshëm. Eksperti sugjeron që qeveria e re të vendosë prioritet rritjen e pensioneve dhe të bëjë indeksim të plotë sipas inflacionit real. Përndryshe, mijëra të moshuar do të mbeten viktima të krizës ekonomike, pa asnjë mbrojtje sociale. Mesazhi i tij është i qartë: pensionistët presin respekt dhe dinjitet, jo thjesht premtime boshe. Shqipëria e vërtetë matet me mënyrën se si trajton të moshuarit e saj. “Pensionistët presin që qeveria shqiptare të bëjë diçka për ta. Ne presim rritje të pensioneve dhe indeksim të ri të tyre. Qeveria ka mundësi që të bëjë indeksim dhe të japë bonuse.
Pensionistët presin më shumë për indeksim, por nëse gërshetohen këto do të ishte diçka e mirë. Pensionistët sot ndodhen në gjendje më të keqe se vjet, për shkak të inflacionit. Qeveritarët të kenë kujdes kur të bëjnë indeksimin e pensioneve. Qeveria flet gjithmonë për objektivat e vitit 2030, por 2030 është shumë larg, pasi pensionistët kanë nevojë për rritje pensionesh sot. Shqipëria dëshiron që të hyjë në BE dhe duhet standard konkurrues me vendet europiane, nuk mund të vijohet me këto pensione aq të ulëta”, deklaroi eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha gjatë një prononcimi për mediat. m.p.
