Partia Demokratike e Kosovës (PDK), aktualisht forca e dytë më e madhe parlamentare në vend, po shkon drejt zgjedhjes së udhëheqësit të ri, në përpjekje për ta sjellë në krye dikë që mund ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, partia e së cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021 dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kryetari i deritanishëm, Memli Krasniqi, dha dorëheqje papritmas të mërkurën dhe e thirri Konventën e partisë për të hënën e 17 nëntorit, duke thënë se ka ardhur koha për një momentum dhe mundësi të re për “familjen tonë demokratike”.
Një ditë më vonë, Bedri Hamza, kandidati i saj për kryeministër në zgjedhjet e këtij viti, njoftoi se do të garojë për kryetar, duke premtuar reforma, për ta rikthyer PDK-në “ si partinë kryesore në vend”, përcjell A2.
Derisa po dukej se gjithçka po shkonte sipas planit, deputeti dhe dikur ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, doli me kundërshtime.
Ai bëri thirrje që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore, dhe se një parti demokratike duhet të ketë në garë më shumë sesa thjesht një kandidat të vetëm.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra, ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’ia hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
PDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Hamza do të ketë kundërshtarë në garën për udhëheqës të partisë.
REL-i e ka kontaktuar edhe Hoxhajn, mirëpo ai nuk ka treguar nëse do të jetë pjesë e garës.
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, thotë për REL-in se, ndonëse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”.
Ai beson se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”.
Sipas tij, për PDK-në do të jetë e rëndësishme se si zhvillohet gara, pasi nëse procesi do të jetë vetëm formalitet, atëherë mund të ketë pasoja.
