Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
**
Pak e dinë se heroi i famshëm i Odisesë, i njohur sot si Uliksi, fillimisht quhej Odysseus, ose Odisseu. Sipas studiuesve, emri në greqishten e lashtë mund të nënkuptojë “i urryeri”, ndërsa një interpretim tjetër e përkthen si “ai që urren”.
Emri Ulysses, nga i cili rrjedh edhe forma shqipe Uliks, u përdor për herë të parë nga Livio Androniku, një shkrimtar me origjinë nga Pulja, i cili rreth 23 shekuj më parë përktheu në latinisht veprën e Homerit. Përkthimi i tij, i njohur si Odusia, konsiderohet si një nga veprat që hodhi themelet e letërsisë romake.
Megjithëse Livio Androniku i dha emrin me të cilin njihet sot në botën perëndimore, figura e Uliksit është përjetësuar nga shumë autorë të tjerë. Pas Homerit, ndër emrat më të njohur janë Apollodori i Athinës në Greqinë e lashtë, Virgjili në letërsinë romake, Dante Alighieri, i cili e vendosi Uliksin në “Ferrin” e Komedisë Hyjnore si një nga “këshilltarët mashtrues”, si edhe James Joyce, që në vitin 1922 e shndërroi në simbolin e njeriut të zakonshëm në romanin Uliksi.
Figura e Uliksit lidhet edhe me origjinën e fjalës nostalgji, e cila vjen nga greqishtja nostos (kthim) dhe algos (dhimbje), duke simbolizuar mallin për t’u rikthyer në shtëpi pas një udhëtimi të gjatë.
Por a ka ekzistuar vërtet Uliksi? Studiuesit nuk kanë prova historike që ai ka qenë një person real. Për të kanë shkruar poetë, dramaturgë dhe autorë të mëdhenj të letërsisë antike, por asnjë historian i kohës, çka e bën më të besueshme idenë se ai është një figurë mitologjike.
Për grekët e lashtë, Odisseu ishte mishërimi i metis, pra i zgjuarsisë dhe aftësisë për të zgjidhur problemet me mençuri, aty ku forca nuk mjaftonte. Pikërisht kjo e ka bërë një nga personazhet më të rëndësishëm të letërsisë botërore.
Edhe sot, fjala odise përdoret për të përshkruar një udhëtim të gjatë, të vështirë dhe plot pengesa, një trashëgimi gjuhësore që lidhet drejtpërdrejt me aventurat e heroit legjendar./kb
