Last Updated on 27/03/2026 by Anisa
Rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore ka nisur të ndihet ndjeshëm në tregun vendas, ndërsa autoritetet pranojnë se ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare ka filluar të reflektohet drejtpërdrejt në koston e jetesës për qytetarët.
Gjatë një konference për mediat, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme po jep efektet e para në çmimet e shportës ushqimore, duke sjellë rritje të ndjeshme për produkte të rëndësishme si mielli, vaji dhe sheqeri.
Në këtë kontekst, gazetari Isa Myzyraj solli në vëmendje disa prej rritjeve konkrete në treg, duke përmendur se domatet nga 200 lekë kanë shkuar në 350 lekë, specat nga 280 në 400 lekë, si edhe rritje të konsiderueshme për produkte të tjera bazë.
E pyetur se kur qeveria do të ndërhyjë për uljen e çmimeve, Ibrahimaj theksoi se shteti nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e tyre, pasi ato varen nga mekanizmat e tregut.
“Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime”, tha Ibrahimaj.
Ministrja sqaroi se roli i qeverisë do të jetë monitorimi i vazhdueshëm i tregut për të shmangur abuzimet dhe spekulimet me çmimet: “Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime. Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.
Dhe fokusi ynë është te pensionistët. Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve.”
