Last Updated on 22/04/2025 by adminfjala
Bregdeti i jugut të Shqipërisë sa vjen dhe po bëhet më i paarritshëm për të blerë pasuri të paluajtshme.
Sipas Report TV çmimi për metër katror që do të përdoret si referencë në Kavajë do të rritet mesatarisht 52%, në Durrës me 61%, Sarandë 86%, Vlorë me 88% dhe në Himarë 111%.
Referencat e reja të pronave pritet të bëhen publike vitin e ardhshëm. Kjo situatë po nxit blerësit të “braktisin” kryeqytetin dhe po vrapojnë drejt bregdetit.
“Në dy vitet e fundit Tirana ka nisur të ketë një stabilizim në tregun e çmimeve, përtej marketingut që bëhet për kullat që po dalin me çmime të larta, kur transaksioni bëhet është në negocim. Ka një ritëm më të ulët në rritjen e çmimeve në tiranë, ndërkohë që ka shumë interes bregdeti për shkak të turizmit”, shprehet Reinaldo Pipiria, kreu i NAREA, shoqata e Pasurive të Patundshme.
Miratimi i referencave të reja do të sjellë një rritje të çmimeve të pronave thuajse në të gjithë vendin, me përjashtim të kryeqytetit, ku çmimi tavan i pronave u miratua në vitin 2023.
Një metër katror në Durrës do të arrijë deri në 2000 euro, kurse në Vlorë një metër katror në Lungomare do të kushtojë 2000 euro, nga 620 euro që është sot.
Rritje të fortë do të pësojnë edhe çmimet e pronave në Himarë, ku nga 580 euro që kushton një metër sot (mesatarisht), do të arrijë në 1400 euro, apo në Sarandë ku metri katror do të kushtojë deri në 1000 euro, nga mesatarisht 560 euro që është. Me gati 200 euro do të rritet vlera për metër katror edhe për Bashkinë Kavajë.
Ministria e Ekonomisë ka nisur punën për një metodologji të re për përcaktimin e çmimeve të referencës, duke u bazuar jo më në transaksionet e deklaruara në Kadastër, por do të bazohet te një studim më i mirë i tregut përmes sondazheve apo anketave. Ky ndryshim metodologjie mund t’i rrisë edhe më shumë vlerat e lartpërmendura./FJALA