Matt Schlapp, president i Conservative Political Action Conference (CPAC), lobi konservator dhe pro-Trump më i fuqishëm në SHBA, ka shprehur dëshirën që konferenca e ardhshme të mbahet në Itali, ndoshta që vitin e ardhshëm. Schlapp, i cili ishte në Kennedy Center për të ndjekur shortin e Kampionatit Botëror të Futbollit, tha se për realizimin e këtij plani janë të domosdoshme dy kushte: Mbështetja e pakushtëzuar politike e kryeministres Giorgia Meloni dhe financimet për organizimin e eventit.
CPAC organizon çdo vit një konferencë të madhe, ku pjesëmarrës kryesor është udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë dhe liderë të lëvizjes MAGA. Në vitin 2026, takimi kryesor do të mbahet në Dallas në mars, por Schlapp po planifikon tashmë të ardhmen, duke marrë parasysh edhe idenë e sugjeruar nga vetë Trump për të organizuar konferencën në ballroom-in e ri të Shtëpisë së Bardhë sapo të përfundojnë punimet.
Giorgia Meloni ka marrë pjesë më parë në evente të CPAC-it, edhe para se të bëhej kryeministre, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë me konservatorët amerikanë, më të fortë edhe se ajo e liderit të Legës, Matteo Salvini. Schlapp theksoi se Italia përfaqëson një hap cilësor në përhapjen e agjendës sovraniste në Europë, pas eventeve të mëparshme ndërkombëtare të CPAC-it në Argjentinë dhe Hungari, ku ka pasur afinitete politike me liderë si Viktor Orbán.
Ai sqaroi se për të realizuar konferencën në Itali është e nevojshme që kryeministrja të japë pjesëmarrjen dhe mbështetjen e saj politike për axhendën e CPAC-it, ndërsa financimet mbeten një element i domosdoshëm, duke theksuar se në SHBA kompanitë private sponsorizojnë gjerësisht këto evente, ndërsa në Itali kjo nuk është e zakonshme.
Schlapp nënvizoi se pa këto dy elemente, konferenca nuk mund të organizohet jashtë SHBA-ve, ndërsa Italia konsiderohet tani një destinacion strategjik për zgjerimin e ndikimit konservator dhe pro-Trump në Europë./kb
