Real Madridi e mposhti Sevillan me rezultatin 2-0 në “Santiago Bernabeu” të shtunën, në kuadër të javës së 18-të të La Ligës.
Megjithatë, vëmendja pas ndeshjes nuk u përqendrua te rezultati, por te situata e tensionuar mes Vinicius Junior dhe tifozëve vendas.
Sipas mediave spanjolle, një pjesë e tifozëve të Real Madridit janë të pakënaqur me sjelljen e brazilianit gjatë periudhës së fundit të krizës së skuadrës, kur klubi humbi kryesimin në La Liga dhe pati rezultate zhgënjyese në Ligën e Kampionëve.
Në atë periudhë, Vinicius thuhet se ishte një nga figurat kryesore që kundërshtoi trajnerin Xabi Alonso.
Pakënaqësia e tifozëve u shfaq qartë në ndeshjen kundër Sevillas. Vinicius u fishkëllye që nga minutat e para dhe reagimet negative vazhduan deri në minutën e 83-të, kur ai u zëvendësua nga Gonzalo Garcia.
Pamjet televizive kapën gjithashtu reagimin e Viniciusit gjatë largimit nga fusha, ndërsa më pas u raportua se ai kishte reaguar edhe ndaj fishkëllimave gjatë ndeshjes. Sipas leximit të buzëve, braziliani iu drejtua stolit duke thënë:
“Çfarë duhet të bëj? Ky është aksioni i parë i ndeshjes… Dreq ta marrë”, iu drejtua Vini bankës rezervë. m.p.
