Last Updated on 02/06/2026 by Kesjana
Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, Zak Topuzi, ka komentuar debatet rreth projektit në Zvërnec, duke theksuar se çështja nuk duhet të trajtohet si një përplasje ideologjike mbi ndërtimet, por si një diskutim mbi llojin e zhvillimit që Shqipëria kërkon në turizëm.
Sipas Topuzit, krahasimet ekstreme apo qasjet emocionale nuk i shërbejnë debatit publik.
“Problemi i Zvërnecit nuk duhet të trajtohet si Revolucioni Anglez, ku punëtorët shkatërronin makineritë nga frika e ndryshimit,” u shpreh ai, duke nënvizuar se thelbi i diskutimit duhet të jetë cilësia e zhvillimit dhe jo ndalimi i tij.
Ai theksoi se deri më sot mungesa e transparencës ka ndikuar në rritjen e mosbesimit të publikut ndaj projekteve të mëdha turistike në vend.
Sipas tij, Shqipëria ka një deficit të dukshëm në segmentin e turizmit me vlerë të lartë, duke kujtuar se vetëm rreth 1% e kapaciteteve akomoduese janë hotele dhe resorte të standardeve të larta, ndërsa vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë një përqindje shumë më të lartë, që arrin deri në 7–10%.
Këto investime, sipas Topuzit, kanë ndihmuar vendet fqinje të tërheqin turistë me shpenzim të lartë dhe të zgjasin sezonin turistik.
Megjithatë, ai pranoi se shqetësimet e shoqërisë civile nuk janë të pabazuara, pasi përvoja e viteve të fundit ka krijuar perceptimin se disa projekte të prezantuara si “turistike” kanë përfunduar si zhvillime imobiliare me fokus shitjen e apartamenteve dhe vilave, duke e lënë turizmin në plan të dytë.
“Prandaj, transparenca është çelësi,” theksoi ai, duke shtuar se projektet duhet të garantojnë funksion afatgjatë turistik, menaxhim profesional, punësim dhe aktivitet gjatë gjithë vitit.
Topuzi u shpreh se nëse një projekt në Zvërnec synon zhvillim real turistik, ai është i arsyeshëm, por nëse fokusi është vetëm tek shitja e pasurive të paluajtshme, atëherë kritikat janë të justifikuara.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për një ekuilibër mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik.
“Zvërneci nuk duhet të mbetet një zonë e paprekur vetëm nga frika e zhvillimit, por as të kthehet në një kantier të pakontrolluar ndërtimi,” u shpreh ai.
Në përfundim, Topuzi theksoi se Shqipëria ka nevojë për një strategji të qartë turistike dhe një brand kombëtar të fortë për të konkurruar në tregun europian.
“Sfida është të ndërtojmë një turizëm të vërtetë dhe më pak beton,” tha ai, duke kërkuar një debat profesional dhe të bazuar në fakte, jo në qasje populiste./a.d
