Ousmane Dembele ka ngjallur panik te Paris Saint-Germain, pas zëvendësimit para kohe ndaj Paris FC.
Sulmuesi francez ndjeu shqetësime në pulpën e këmbës së djathtë dhe u largua duke çaluar nga fusha, vetëm 12 ditë para finales së Champions League kundër Arsenalit.
Klubi konfirmoi se lojtari po ndjek një trajtim specifik dhe do të monitorohet nga stafi mjekësor gjatë ditëve në vijim. Ekzaminimet kanë përjashtuar një dëmtim serioz, duke rritur shanset që Dembele të jetë i gatshëm për finalen e 30 majit në Budapest.
Trajneri Luis Enrique deklaroi se situata nuk duket shqetësuese dhe e lidhi zëvendësimin me lodhjen fizike të lojtarit. Dembele po kalon një sezon shumë pozitiv me 19 gola dhe 11 asistime në 39 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Prania e tij konsiderohet shumë e rëndësishme për objektivat e PSG-së në finalen europiane. Gjendja e lojtarit po ndiqet gjithashtu edhe nga stafi i kombëtares franceze në prag të Botërorit 2026./mxh
