Last Updated on 17/10/2026 by EL
Bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave do të marin dëmshpërbim nga qeveria.Fillimisht këto sipërmarrje duhet të regjistrojnë dëmet në portalin qeveritar e-Albania, përmes një hapësire të dedikuar me emrin “Dëmi im”.Për të nisur aplikimin, bizneset duhet të hyjnë në faqen e-albania.al dhe të identifikohen me llogarinë e tyre.
Më pas, duhet të kërkojnë shërbimin “Dëmi im” dhe të plotësojnë formularin me të dhënat personale, NIPT-in, numrin e kontaktit dhe informacionin për ambientin ku ushtrohet aktiviteti i biznesit. Në formular duhet të deklarohet edhe nëse biznesi ka sigurim.
Një tjetër hap i rëndësishëm është deklarimi i dëmeve. Bizneset duhet të përllogarisin vlerën e përafërt të dëmit të shkaktuar dhe të ngarkojnë dokumentet që e vërtetojnë atë. Në faqe mund të ngarkojnë fotografi, video, fatura apo dokumente të tjera që tregojnë dëmet e pësuara.
Pas regjistrimit të aplikimit dëmet do të verifikohen në terren nga 10 grupe pune të Drejtorisë së Tatimeve. Gjithashtu, do të kontrollohet dokumentacioni përkatës dhe do të krijohet një regjistër me dëmet e evidentuara.
Vetëm pas përfundimit të procesit të verifikimit do të përcaktohen masat konkrete për mbështetjen e bizneseve dhe shlyerjen e dëmeve. Aktualisht ende nuk ka një numër përfundimtar të bizneseve të dëmtuara ndërsa protesta vijon të jetë e dhunshme edhe në ditën e saj të pestë.
Shumë subjekte sidomos në qendër të kryeqytetit kanë mbyllur qepenat dhe nuk ushtrojnë aktivitet prej disa ditësh duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Subjektet janë kryesisht dyqane, bar kafe apo filiale të bankave./ET
