Vera vë në provë shëndetin e lëkurës. Ekspozimi në diell, nxehtësia dhe higjiena e pamjaftueshme favorizojnë alergjitë dhe infeksionet. Shefja e shërbimit të dermatologjisë në QSUT, Monika Fida tregon se rastet në spital shtohen gjatë kësaj periudhe dhe këshillon trajtim të hershëm për të shmangur komplikacionet.
Gjatë muajve të verës, mjekët dermatologë në QSUT përballen më shpesh me patologji të lëkurës që lidhen me ekspozimin ndaj diellit dhe temperaturave të larta. Në një intervistë për RTSH shefja e re e këtij shërbimi Prof. Monika Fida tregon tre grupimet më të zakonshmet që janë sëmundjet alergjike të lëkurës, fotodermatozat dhe infeksionet bakteriale.
“Nga njëra anë kemi sëmundjet alergjike të lëkurës, nga ana tjetër kemi fotodermatozat, dhe nga ana tjetër kemi një grup infeksionesh të cilat mund të përkeqësohen si rezultat i mos mjekimit adekuat ose pritjes së gjatë të pacientit që të shpalosë sëmundja vet, dhe në këtë mënyrë, kuadri klinik përkeqësohet dhe gjeneralizohet përhapet më shumë. Kjo vlen veçanërisht për moshat pediatrike, ku infeksione si impetigoja e përhapur mund të kërkojnë edhe hospitalizim. Bëhet fjalë kryesisht për infeksione bakteriale të lëkurës, të shkaktuara nga streptokoku dhe stafilokoku, që favorizohen nga nxehtësia, djersitja dhe aktivitetet në plazh”, tha ajo.
Fida vë tregon disa nga shenjat që shfaqen në lëkurë kur biem pre e ndikimit të alergjenëve në mjedis.
“Tek sëmundjet alergjike të lëkurës, mund të kemi elemente si pruritin alergjik skuqje më të madhe, jo vetëm të një zone, shoqëruar me prurit intensiv dhe këto me të kruajtura të shtuara. Mund të kemi situata të angioedemës ku kemi edemë dhe fryrje të lëkurës së fytyrës, të buzëve për shembull. Mund të kemi të kruajtura të gjeneralizuara dhe kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor”, u shpreh dermatologia.
Mjekët tërheqin vëmendje për mbrojtje maksimale.
“Rekomandohet që gjatë kësaj periudhe të qëndrohet në ambiente të freskëta dhe të përdoren masa mbrojtëse ndaj diellit, pasi temperaturat e larta dhe rrezatimi ultraviolet mund të përkeqësojnë pothuajse të gjitha patologjitë e lëkurës”, tha ajo.
Mjekët apelojnë që ndryshimet në lëkurë të adresohen sa më shpejt pranë tyre, mbrojte me kremra dhe veshje si dhe higjienë të lartë sidomos ndaj fëmijëve dhe të pacientëve kronikë./ad
