Dhjetori është muaji kur një pushim ndihet mëse i nevojshëm dhe i merituar. Njerëzit ndahen kur vjen puna tek përzgjedhja e destinacioneve, sepse ashtu ndahen edhe preferencat lidhur me natyrën e pushimeve dimërore.
Disa preferojnë ti qëndrojnë simbolit të fundvitit, alpeve, ndërkohë që pjesa tjetër përpiqet ti largohet pikërisht këtij acari. Kjo duke synuar vendet e ndrohta ku plazhi është përgjatë gjithë vitit i aksesueshëm.
Destinacionet që ne kemi sugjeruar për pushimet alpine janë të shumta, duke përfshirë diamantet zviceriane e franceze si Gstaad, Courchevel apo St. Moritz, por vendet ku dielli shëndrin më fortë në dimër se në verë, i kemi cekur më rrallë. Turizmi dimëror në vende të ngrohta është trend që përsëritet çdo vit, me një numër të madh që përzgjedhin Dubain apo Maldivet si arratisjen e tyre.
Nëse largësia nuk përbën problem për ju, St. Barths apo Alula janë gjithashtu vende ku një pjesë e vogël pushuesish shkojnë për një eksperiencë më ekskluzive e intime, në mesin e luksit dhe mirëqënies së përhershme. Pa dyshim se duke qenë destinacione kaq të pëlqyera për shkëputjen e fundvitit nga rutina e ngarkesat, duhet të keni parasysh se atmosfera e këndshme e dekorimeve ngado, mund të sjellë çmimet më të kripura pikërisht për këto arsye!/KM
