Një epokë e re nis për futbollin e Milanos. Milani dhe Interi kanë zbuluar projektin e stadiumit të tyre të ri, që do të quhet Generali Stadium, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt zëvendësimit të mitikut San Siro.
Impianti i ri do të ketë një kapacitet prej 71 mijë e 500 vendesh. Arkitektura do të dallohet nga struktura e veçantë e saj, ndërsa tribunat janë menduar për t’i afruar tifozët sa më shumë me fushën e lojës.
Por synimi nuk është thjesht ndërtimi i një stadiumi modern. Projekti përfshin edhe transformimin e një zone prej rreth 281 mijë metrash katrorë, me hapësira të gjelbra, ambiente argëtimi dhe shërbime që do ta bëjnë zonën të frekuentuar gjatë gjithë vitit.
Megjithatë, ky projekt historik nuk ka kaluar pa kundërshtime. Një pjesë e tifozëve të Interit protestuan kundër shembjes së San Siros, stadiumit që prej dekadash ka qenë dëshmitar i triumfeve, derbeve dhe netëve të paharrueshme europiane.
Megjithatë Gjykata Administrative Rajonale hodhi poshtë kundërshtimet ligjore ndaj shitjes së stadiumit dhe zonës përreth klubeve, duke i hapur rrugë vijimit të projektit. Sipas planit aktual, punimet pritet të nisin në vitin 2028, ndërsa stadiumi synohet të jetë gati për sezonin 2031–2032.
San Siro do të mbetet pjesë e historisë së futbollit italian, por Milani dhe Interi po përgatiten të shkruajnë një kapitull të ri. Një shtëpi e re, me ambicie të mëdha dhe me synimin për ta vendosur përsëri qytetin e Milanos në qendër të futbollit europian./ad
