Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e plotë të ngjarjes së rëndë të regjistruar mesditën e 6 tetorit, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.
Sipas hetimeve të deritanishme dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton që ngjarja ka ndodhur në sallën nr.3 të Gjykatës së Apelit në Tiranë, menjëherë pasi gjyqtari kishte shpallur vendimin lidhur me çështjen e pronësisë ku të përfshirë kanë qenë fisi Shkambi dhe mbi 30 familje të qytetit të Shkodrës të cilat prej vitesh jetojnë në ish-shkollën e Rezervave.
Ashtu sikurse kemi bërë me dije dhe më herët, në sallë ndodheshin Elvis Shkambi, Ragip Kurta dhe Ervis Kurtaj, ndërkohë jashtë saj qëndronin Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së Astrit Kalasë, Elvis Shkambit dhe persona të tjerë.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Elvis Shkambi, ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas atentatit ndaj gjyqtarit, Shkambi ka drejtuar armën edhe ndaj Ragip dhe Ervis Kurtajt, të cilët tentuan të largohen nga salla. Si pasojë, Ervis Kurtaj mbeti i plagosur me një plumb në krahun e djathtë, ndërsa Ragip Kurtaj u dëmtua në pjesën e brinjëve në anën e majtë.
Në vendngjarje u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në krim, një pistoletë tip “Welt Waffen W Germany, Cal. 7.65 mm, Browning”. Ndërkohë, ndryshe nga sa u raportua më herët se autori nuk kishte më plumba, nga ekspertiza rezulton se arma kishte ende një fishek të gatshëm për qitje dhe dy të tjerë në karikator.
Në vijim të hetimeve, policia gjeti në parkingun pranë Xhamisë së Namazgjasë, një makinë tip “Mercedes-Benz” me targë AA900AA, në pronësi Gjon Shkambit. Gjatë kontrollit të automjetit, u zbuluan dhe sekuestruan 31 fishekë kalibri 9 mm, të dyshuar si fishekë manovër.
Më herët Prkuroria e Tiranës njoftoi se togat e zeza kanë nisur hetimet për Elvis Shkambin, Gon Shkambin dhe Banush Koxhajn, për veprat penale “Vrasje funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve” e “Shpërdorim detyre”.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, shtetasi Elvis Shkambi, i cili ndodhej në sallë, nxori nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë.
Pas këtij veprimi, 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën shtetasve Rakip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre. Menjëherë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.
Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit. Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike rezulton se Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, u futën në gjykatë dhe në ekranin e detektorit vërehet që janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë që shtetasi Banush Koxhaj me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e gjykatës.
Si rrjedhojë Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërsa, xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, për të cilin po ashtu është kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg”, akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese” . Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij.
Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga Gjon Shkambi, gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të pasqyruara në sistemin deepsee (të administruara me procesverbal), për kanosjet me jetë që u janë bërë nga ky shtetas.
Ndërsa roja i sigurisë , Banush Koxhaj akuzohet për veprën “shpërdorim të detyrës”. Nga hetimi rezultoi se ai qëndron i ulur në karrige dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e gjykatës, duke sjellë si pasojë hyrjen me armë të shtetasit E. Sh. në sallën e gjyqit dhe kryerjen më pas të vrasjes prej këtij të fundit.
Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”. m.p.
