Elizabeth II mbetet një nga figurat më ikonike të kohëve moderne, jo vetëm për rolin e saj historik, por edhe për stilin e pagabueshëm që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Përmes veshjes, ajo ndërtoi një identitet të qartë dhe të dallueshëm, duke e kthyer modën në një formë komunikimi me publikun. Monarkja e ndjerë gjithmonë dinte çfarë të vishte dhe si ta vishte atë.
Plotësisht e vetëdijshme se veshja e duhur mund të “flasë” me publikun, ajo nuk gaboi kurrë, falë dhjetë rregullave që ndoqi gjithmonë.
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj, 21 prill 1936, La Repubblica ka përmbledhur 10 prej rregullave që mbretëresha Elizabeth II ndiqte.
Rregulli i parë: Vishni një ylber ngjyrash
“Duhet të më shohin që të më besojnë” ishte parimi i saj. Duke qenë vetëm 1.63 m e gjatë, ajo zgjidhte ngjyra të ndezura për t’u dalluar edhe nga larg.
Veshjet ishin zakonisht në një ngjyrë të vetme nga koka te këmbët, ose në kombinime të harmonizuara. Nuk kishte ngjyrë që nuk e kishte provuar, por kishte një preferencë të veçantë për blunë.
Rregulli i dytë: Gjithçka në një tonalitet, edhe çadra
Edhe në shi, mbretëresha duhej të ishte e dukshme. Prandaj, për Madhërinë e Saj u përdorën vetëm çadra transparente, të gjitha nga e njëjta markë dhe të gjitha me një brez me ngjyra që përputhej me veshjen e saj.
Çadrat e mbretëreshës ishin prodhuar posaçërisht nga Fulton Umbrellas sipas kërkesave të saj dhe nën mbikëqyrjen e stilistes Angela Kelly.
Rregulli i tretë: Gjithmonë me një kapele, por jo shumë të madhe
Kapelat nuk duhej t’i mbulonin fytyrën, ndaj diametri i tyre nuk i kalonte 15 cm.
Rregulli i katërt: Kurrë mos i zbulo këmbët
Stilistja e saj personale i vendoste mbretëreshës disa pesha të vogla në fund të fustaneve të saj, për të parandaluar që ato të valëviteshin nga era dhe t’i zbulonin këmbët.
Rregulli i pestë: Një karficë për të komunikuar disa mesazhe
Mbretëresha përdorte bizhuteritë për të dërguar sinjale. Për shembull, në një takim me Donald Trump, ajo zgjodhi një karficë të dhuruar nga Barack Obama.
Ndërsa për të mirëpritur presidentin në Windsor, ajo mbajti një karficë të Cartier që e kishte veshur në funeralin e babait të saj, George VI.
Rregulli i gjashtë: Përdorimi “diplomatik” i modës
Çdo udhëtim kërkonte një gardërobë të dedikuar. Ishte zakon i Mbretëreshës të vishej me ngjyrat e flamurit të vendit që po vizitonte, ose të bënte homazh përmes detajeve, qëndisjeve ose bizhuterive.
Për shembull, në vitin 1986, Elizabeth II ishte monarkja e parë britanike që vizitoi Kinën, dhe për darkën gala me udhëheqësin Deng Xiaoping, ajo veshi një fustan nga stilisti britanik Ian Thomas, të zbukuruar me lule bozhure, lulja kombëtare e Kinës.
Rregulli i shtatë: Çanta si mjet komunikimi
Mbretëresha kishte mbi 200 çanta të markës Launer London dhe i përdorte për të dhënë sinjale stafit. Nëse e kalonte çantën nga një krah në tjetrin, do të thoshte se donte të largohej nga një situatë.
Rregulli i tetë: Riciklimi i veshjeve
Ajo i përdorte shpesh të njëjtat veshje, por mbante shënime për të mos i përsëritur me të njëjtët persona.
Rregulli i nëntë: Pa pantallona
E vetmja herë që u shfaq me pantallona në një event zyrtar ishte gjatë një vizite në Kanada në vitin 1970. Pas kësaj, i përdori rrallë dhe gjithmonë në privatësi.
Rregulli i dhjetë: Një detaj personal
Mbretëresha gjithmonë ka veshur marka britanike, por shamitë e saj ishin të gjitha nga shtëpia e njohur franceze e luksit, Hermès. Një detaj i vogël por shumë karakteristik./mxh
