Last Updated on 15/04/2026 by Anisa
Nga Anisa Daci
Debati i nxitur nga një histori personale mbi Samitin e Diasporës ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien shpesh të tensionuar mes diasporës shqiptare dhe institucioneve shtetërore. Diskutimi i përhapur gjerësisht në hapësirën virtuale, ndërthur përvoja individuale, kritika të forta ndaj administratës publike dhe reflektime më të thella mbi aftësinë e shtetit për të përthithur kapitalin profesional të shqiptarëve jashtë vendit.
Në qendër të debatit qëndron një rast konkret i sjellë nga ish zv. Kryeministrja socialiste Ermelinda Meksi, i cili është shndërruar në pikënisje të një diskutimi më të gjerë mbi funksionimin e institucioneve dhe politikave të diasporës.
Ermelinda Meksi përshkruan përpjekjen e djalit të saj për të kontribuar në Shqipëri në fushën e sigurisë kibernetike. Sipas saj, ai ka kontaktuar institucionet shqiptare me një ofertë profesionale, por pa marrë përgjigje.
Ky moment interpretohet jo thjesht si mungesë komunikimi institucional, por si shenjë e një sistemi që nuk arrin të strukturojë mekanizma efektivë për të përthithur ekspertizën e diasporës, dhe ngre pyetje mbi transparencën dhe funksionimin e administratës publike.
Deformim institucional
Debati merr një ton më të fortë në reagimet që pasojnë. Mjekja Lida Shosha e lexon këtë përvojë si simptomë të një problemi më të thellë shoqëror dhe institucional:
“Mendoj qe ky shtet e ka përjashtuar profesinistin e vërtete e te vlershëm, ky shtet bëri kult hajdutet e paskrupullt qe përhapën hajduterinë si metaststaze në.cdo qelizë administrative, dhe e mjeruan e degraduan këtë shoqeri në mënyre te tejskajshme. Djali juaj te kete sukses aty ku është i vleresuar dhe i përmbushur.”
Në këtë lexim, mungesa e përgjigjes nuk është rastësi administrative, por pjesë e një modeli të deformuar qeverisjeje, ku meritokracia, sipas autores, është zëvendësuar nga praktika klienteliste.
Perspektiva strukturore: pesimizmi mbi kthimin e diasporës
Një interpretim më i gjerë dhe më strukturor vjen nga akademiku Artan Fuga, i cili e vendos çështjen në një kontekst historik dhe institucional më të gjatë. Sipas tij, kthimi i diasporës në Shqipëri nuk është më real në kushtet aktuale:
”Zonja Meksi, mos kini asnje iluzion. Pertej propagandave me samite. Porta per emigrantet eshte e mbyllur ne Shqiperi. Fati eshte tragjik: nuk mund te jesh njekohesisht ne dy vende. Kjo percaktohet sot ne Shqiperi nga modele sociopolitike qe kemi dhe qe ka filluar ne 1991. Kthimi i emigranteve ne Shqiperi kerkon tjeter model institucional, ekonomik, shendetesor, pensionesh, marredheniesh me mjedisin, rrugesh, etj. Si edhe qeverisjen tjeter, jo thjesht nderrim kuajsh ne karroce. Pertej pervojave personale, nostalgjive, trajtimeve emocionale, hidherimit, etj, etj, arsyeja e ftohte thote se cdo rikthim eshte i pamundur me. Ne pergjithesi ne histori nuk ka rikthime. Lojera me samite jane si te gjithe lodrat, shpiash, doktorash, kukamcefti, komance, etj. Ajo qe duhet thene emigranteve eshte e verteta crudo: rruga juaj e kthimit eshte mbyllur. Nuk ju mbetet vecse te votoni per gjera qe s’kane lidhje me ju! Nje tallje totale! Me konsiderata te vecanta!”
Ky qëndrim e zhvendos debatin nga rasti individual drejt një diagnoze strukturore: sipas tij, problemi nuk qëndron në raste të veçuara, por në vetë modelin e funksionimit të shtetit shqiptar pas vitit 1991.
Mundësia e ndryshimit
Në kontrast me këtë qëndrim, Ermelinda Meksi mban një ton më të moderuar, duke pranuar vështirësitë, por duke mos e përjashtuar perspektivën e ndryshimit:
“Është e vërtetë që kthimi dhe integrimi… nuk është një proces i lehtë.”
Teksa shton më tej:
“Dëshira më bën ta shoh këtë si një proces të mundur.”
Kjo qasje e lë të hapur mundësinë e një modeli më funksional bashkëpunimi mes shtetit dhe diasporës, pavarësisht pengesave aktuale.
Dimensioni emocional: përvoja të përsëritura zhgënjimi
Debati merr një dimension të fortë emocional në dëshmitë e pjesëmarrësve të tjerë, ku përvoja personale shndërrohet në reflektim kolektiv mbi sistemin.
Mira Bozheku sjell një rrëfim të gjatë mbi sakrificat familjare dhe zhgënjimet institucionale:
”Ermelinde e dashur ……preke nje plage qe vertet dhemb sa here behen keto te famshmet samite ….dhemb per mua per ty per kedo qe sakrifikuan per shkollimin ne nivel siperor per femijet ….sot lexoj disa qe i pyesin …pse me qilim pret ta shtrojne ty !… Irritim.deshperim i madh …po pse mor shok apo shoqe …kur femijet tane studjuan e shkelqyen neper bote me qilim ja kishin shtruar atje ?!… Mbas vitit pare te studimeve kur im bir doli nga areoporti rinasit .ne prinderit ne moment nuk e njohem …i lodhur i dobesuar ….po keshtu dhe vajza ….i ati i dha drejtimin e makines ….jo babi nuk mundem i tha …..e pra keta ktheheshin per pushime ngea “qilimi “……pas perfund studimeve vajza ju pergjigj thirrjes per tu kthyer ….kishte nje kontrate me shtetin mëmë ….kush ka perfituar bursen e exelences duhet te kontribuoje ne atdhe per 3 vjet detyrimisht …..po cndodhi ?! …dyert mbyllur ….jo vetem kaq… nje deputete e vjeter e ps pa piken e turpit me thot mua …e cdo këtu ajo ..mire ishte ne Itali ….ne skemi nevoj per juriste ….zhgenjim .dedhperim perseri ….djali as qe tentoi fare edhe pse bursisti i pare i exelences shqiptare….. …nuk na duan …me vjen keq po nuk kam pse te vij aty ku nuk te duan ….etj etj histori dhimbjeje me femije te zhgenjyer aq sa kur vjen koha e samiteve me kap ankth deshperim….cna kujtojne ende kohet qe këta vet i zhgarravitën aq paturpsisht …..gjithsesi djalit i uroj sukses dhe vetëm sukses aty ku ka gjetur veten.kenaqesine e punes se shperblyer….”
Kthim, refuzim dhe përpjekje të përsëritura
Një tjetër dëshmi vjen nga Enida Bozheku, e cila përshkruan disa tentativa për rikthim profesional dhe zhgënjime të përsëritura institucionale:
”Ne vitin 2013, Rama i bente ftese Diaspores te kthehej dhe kontribuonte per atdheun. Disa prej nesh, shume ato vite, u kthyen. Nder ta, mes qindra te rinjsh enderra plote, edhe une isha te vala e pare e kthimit. Mu mbyllen dyerte! Nuk do ta harroj kurre ate 10 tetor 2013, kur nje maskara i Rilindur tek kisha intervisten per pune, me tregoi se isha “overqualified” dhe se nuk kishte nevoje per te rinje si une. Vazhdova rrugtimin ne Romen e bukur! Serisht ne 2017, tek do niste vettingu, aplikova per specialiste, ne interviste disa pseudo – juriste me nje tip qe pas doli mashtrues, me treguan deren se isha “overqualified” dhe se duhej te kthehesha nga kisha ardhur (Italia, qe nuk sillte risi, pasi ishte vend i korruptuar). U ktheva nga kisha ardhur. Ne 2020, ne perfundim te Ph.D. te trete per nivelin e Shqiperise ne kuader titujsh akademik, per arsye te ngushta familjare, u detyrova te kthehem perfundimisht, por tashme me dy zyra avokatie nje ne Tirane te ndertuar me thonje, ku sot jam vet titullarja dhe nje ne Rome, se bashku me tim vella, ku eshte im vella (avokat e profesor) dhe une pjese e zyres se Romes. Dy shtete nje familje, nje formim, nje rrugtim – njeri sot Diaspore, tjetri bashkepunetor per Italine. Pas ketij viti, nuk kerkova me te kontribuoja per shtetin, pasi administrata kish perzgjedhur te rrinte krah patroazhistave, te shkolluarve me diploma afrofe dhe sklleverve vullnetare.
Preferova te rrij larg dhe te punoj si mijera te rinjte “overqualified” qe luftojne cdo dite ne egersine e ketij vendi, thelbesisht provincjal dhe injorante. Vend qe te jetosh ne te eshte sfide, per kedo qe punon me dinjitet, profesionalizem dhe atdhedashuri. Se fundmi, surpriza, pas 13 vitesh rilindje, me kish ardhur, per here te pare, ftese per te qene numer ne Samitin e Diaspores. Refuzimi ishte heshtja! Ashtu sikunder e Rilindura beri tek kush si une kerkonin te jepnin dijen e marre dhe investuar ne perendim per atdheun qe si deshi kurre.
(P.s. i uroj cdo shqiptari, pjese e Diaspores dhe e levizjeve mes Shqiperise dhe kudo ata ndodhen qe te flasin dhe mos heshtin kurre. Zeri i lire i vajzave dhe djemve shqiptare anembane botes duhet e jete udherrefyes per t’u bashkuar ne nje Shqiperi me te mire).”
Debati i hapur rreth diasporës shqiptare nuk mbetet thjesht një diskutim emocional apo personal, por shfaq një problem më të thellë strukturor: raportin e brishtë mes shtetit dhe kapitalit njerëzor të diasporës.
Në njërën anë qëndron ideja e rikthimit dhe kontributit; në anën tjetër, përvoja të përsëritura zhgënjimi dhe mosfunksionimi institucional. Mes këtyre dy poleve, pyetja kryesore mbetet e hapur: a mundet sistemi aktual të krijojë kushtet për një bashkëpunim real me diasporën, apo këto raste do të mbeten thjesht histori individuale pa adresim institucional?
Në këtë kuptim, diskutimi shkon përtej një historie të vetme dhe shndërrohet në një pasqyrë të zymtë të raportit mes shtetit dhe diasporës: një hapësirë ku ftesat për bashkëpunim shpesh nuk përputhen me përvojën reale të atyre që kërkojnë të kontribuojnë. Dhe në fund, pyetja që mbetet nuk është thjesht nëse diaspora dëshiron të kthehet, por nëse shteti është realisht i aftë ta presë atë, jo me fjalë, por me dyer të hapura.
